Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pritet të mbajë sot në ora 08:00 një konferencë për media në Presidencë.
Kjo konferencë vjen një ditë pasi në Kuvend nuk u votuan amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja, të cilat synojnë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Gjatë seancës së djeshme në Kuvend, kur pritej të shqyrtoheshin këto amendamente, ato nuk arritën të votohen. Ndërkohë, më vonë gjatë votimit për çështjen e presidentit, në sallë ishin të pranishëm 66 deputetë, çka nuk mjaftoi për kuorumin e nevojshëm dhe për këtë arsye votimi nuk u zhvillua.
Amendamentet e propozuara nga presidentja synojnë ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, në vend të zgjedhjes nga deputetët në Kuvend, siç parashihet aktualisht.
Në konferencën e paralajmëruar për mëngjesin e sotëm, pritet që presidentja Osmani të flasë për zhvillimet e fundit në Kuvend dhe për hapat e mëtejmë lidhur me iniciativën për ndryshimet kushtetuese.