Insajderi
Lajme

A do t’i pezullojë Kushtetuesja afatet për zgjedhjen e presidentit? Gjykata jep detaje për Insajderin

Insajderi
06 March 2026 - 12:55
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
A do t’i pezullojë Kushtetuesja afatet për zgjedhjen e presidentit? Gjykata jep detaje për Insajderin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se tashmë ka pranuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Në një përgjigje për Insajderin, ky institucion bëri të ditur se kërkesa, e cila përfshin edhe kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në rrugë elektronike më 5 mars 2026.

“Vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Insajderin.

Ndërkohë, në orët e paradites së sotme, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi përmes një konference të jashtëzakonshme për media se ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, duke e dërguar vendin zyrtarisht drejt zgjedhjeve të reja.

Osmani u shpreh e ashpër me deputetët, duke e cilësuar dështimin e mbrëmshëm për zgjedhjen e presidentit si një “fatkeqësi të madhe”.

“Jam këtu para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën që ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja. Kjo situatë ka qenë e evitueshme. Prandaj, sot kam nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, deklaroi ajo.

Ajo ka thirrur krerët e partive politike nga ora 01:00, për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve, deri tani shkuarjen në takim e kanë konfirmuar tri partitë opozitare, PDK, LDK e AAK por ende jo partia në pushtet LVV.

Para pak çastesh, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kundërshtuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe dërgimin e vendit në zgjedhje.

Ajo e ka cilësuar dekretin e presidentes si të paprecedent dhe ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë këtë vendim për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Jemi dëshmitarë që shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent që bie ndesh… dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe nuk ka asnjë arsye që kjo të ndodhte sot.”

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark