Insajderi
Lajme

PAMJE/ Arrestohet një person për tentativë vrasjeje, policia i gjen armë, granata dhe drogë

Insajderi
07 March 2026 - 12:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
PAMJE/ Arrestohet një person për tentativë vrasjeje, policia i gjen armë, granata dhe drogë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia në Mitrovicë të Veriut ka njoftuar se ka arrestuar një person për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Fillimisht, Policia në veri kishte pranuar informacion nga Spitali Rajonal Mitrovicë – Veri se një person është pranuar për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Sipas raportimit, rasti ka ndodhur në rrugën “Anri Dinan”. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale në lidhje me një qiradhënie. Më pas, sipas dyshimeve, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë rrahur viktimën dhe më pas njëri nga të dyshuarit e ka therur me një mjet të mprehtë (dyshohet thikë) katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak, duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Gjithashtu, pas veprimeve policore është arritur të identifikohet edhe vendndodhja e njërit nga personat e dyshuar. Policia ka shkuar në atë lokacion, ku ka hasur në personin e dyshuar dhe ka bërë arrestimin e tij. I dyshuari ka tentuar të largohet, por është arritur të arrestohet. Arrestimi i tij është bërë në adresën e banimit të familjarëve të tij në qytetin e Mitrovicës së Veriut”.

Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe mjetin e mprehtë (thikën) që dyshohet se është përdorur në rast. Po ashtu, policia ka gjetur edhe armë dhe substanca narkotike si në vijim:

• një (1) armë e gjatë AK-47

• 34 fishekë të kalibrit 7.62 mm

• një (1) karikator me 29 fishekë të kalibrit 7.62 mm

• një (1) kuti me 15 fishekë të kalibrit 7.62 mm

• një (1) granatë dore M-75

• një (1) antiplumb

• dy (2) shok-bomba

• një (1) flakadan

• dy (2) thika

• një (1) peshore

• bimë narkotike

• një (1) mulli për bluarje

• qese najloni dhe qese folie

• një (1) cigare e dyshuar si marihuanë

• maica me mbishkrime në cirilik

• si dhe një shumë parash të shtetit të Serbisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive, të cilat i kanë tërhequr mjetet eksplozive në mënyrë të kontrolluar.

“Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor, ku në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje. Personi i arrestuar, B.I. (2000), me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njoftoj policia.

Në këtë rast dyshohet se janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, të cilët për momentin nuk janë hasur dhe janë në arrati, mirëpo policia është duke punuar në arrestimin e tyre.

Për të gjitha veprimet e ndërmarra është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e veprave penale ndaj personit të arrestuar për: “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark