Manchester Unitedi ka hyrë në garë për të transferuar një mesfushor të ri gjatë verës, në një marrëveshje që mund të konsiderohet relativisht e lirë – potencialisht pasi lojtari të ketë marrë pjesë në Botërorin e këtij viti.
Klubi nga “Old Trafford” e ka vendosur përforcimin e mesfushës si një nga prioritetet kryesore për afatin kalimtar të verës, pasi gjatë verës së vitit 2025 fokusi kryesor ishte te përforcimi i repartit ofensiv.
Për rreth nëntë muaj, Unitedi është lidhur shpesh me mesfushorin e Brighton & Hove Albion, Carlos Baleba, por klubi anglez kërkon rreth 100 milionë paund për ta lënë të lirë kamerunasin.
Për shkak të këtij çmimi të lartë, Unitedi mund të detyrohet të shqyrtojë alternativa të tjera. Klubi është përmendur gjithashtu si i interesuar për mesfushorin e Nottingham Forestit, Elliot Anderson, si dhe për lojtarin e Aston Villas, Morgan Rogers, sipas raportimeve të “TEAMtalk”.
Megjithatë, një mundësi tjetër interesante ka dalë në pah. Unitedi mund të sigurojë një marrëveshje më ekonomike për një lojtar që në sezonet e fundit është konsideruar ndër mesfushorët më të kërkuar në Evropë.
Sipas raportimit të “Tuttomercatoweb”, mesfushori brazilian Ederson, i cili aktualisht luan për Atalantën në Serie A, pritet të largohet nga klubi gjatë kësaj vere.
Raporti thekson se si Manchester Unitedi ashtu edhe Atlético Madridi janë të interesuar për 26-vjeçarin, i cili numëron tri paraqitje me kombëtaren e Brazilit.
Po ashtu bëhet e ditur se Atalanta e ka ulur kërkesën për kartonin e tij nga 70 milionë euro në “të paktën” 30 milionë euro – një ulje prej rreth 35 milionë paundësh – pasi çmimi i mëparshëm nuk konsiderohet më i qëndrueshëm.
Kjo rënie e ndjeshme e çmimit pritet të tërheqë menjëherë interesin e klubeve të mëdha, sidomos duke pasur parasysh se Ederson ka luajtur në Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe gjithashtu ka një shans të vogël për t’u përfshirë në listën e Brazilit për Kupën e Botës.
Mesfushori ka qenë pothuajse gjithmonë titullar te Atalanta kur ka qenë në formë, duke zhvilluar 30 ndeshje dhe duke realizuar dy gola. Megjithatë, ai ka munguar në katër ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në gju.
Sipas statistikave të “WhoScored”, Ederson renditet i 19-ti mes të gjithë lojtarëve të Serie A për ndërhyrjet e suksesshme për ndeshje këtë sezon, ndërsa statistikat e tjera të tij nuk janë veçanërisht të spikatura.
Kjo bie disi në kontrast me sezonin e kaluar, kur ai u konsiderua një nga mesfushorët më të dalluar në elitën e futbollit italian.
Agjenti i tij, Andre Cary, në nëntor i tha radios spanjolle “Cadena SER” se 26-vjeçari do të ishte një përshtatje ideale për sistemin e Barcelonës nën drejtimin e Hansi Flick.
“Është një mundësi sepse kontrata e tij po i afrohet fundit. Atalanta nuk ka dashur ta shesë deri tani, pavarësisht ofertave shumë të larta që ka marrë. Ai është pranë përfundimit të kontratës dhe çmimi i tij mund të ulet përgjysmë, mes 30 dhe 40 milionë euro. Por ai është një lojtar spektakolar që ka disa nga statistikat më të mira në Evropë në pozicionin e tij”, deklaroi Cary.