Insajderi
Hulumtime/Analiza

VIDEO/ Polici jashtë detyrës kapet duke rrahur qytetarin në mes të rrugës, IPK nis hetimet

Insajderi
18 March 2026 - 15:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
VIDEO/ Polici jashtë detyrës kapet duke rrahur qytetarin në mes të rrugës, IPK nis hetimet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një incident në komunikacion mes dy qytetarëve ka eskaluar në përleshje fizike, ku është përfshirë edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. Inspektorati Policor tashmë ka nisur hetimet lidhur me rastin.

Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ka ndodhur më 6 mars 2026 në Prishtinë dhe është kapur nga kamerat, pamjet e të cilave janë siguruar nga Gazeta Insajderi.

Fillimisht, në konflikt verbal përfshihen dy persona në komunikacion.

Njëri prej tyre, që po lëvizte me një Audi Q3, del nga vetura dhe përballet me qytetarin tjetër.

Situata tensionohet edhe më shumë kur në vendin e ngjarjes ndalet një veturë tjetër e zezë.

Nga ajo zbret polici Kreshnik Mehanja, i cili edhe pse jashtë detyrës zyrtare, ndërhyn në konflikt.

Në momentin kur qytetari tenton të incizojë ngjarjen me telefon, polici reagon duke ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Sipas deklarimit të qytetarit, polici nuk ka njoftuar rastin tek organet kompetente dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur.

“Ky në vend me lajmëro rastin në polici ka vazhduara rrugën edhe pse kam tentuar me e ndal“, tha qytetari.

Se polici është larguar nga vendi pa marrë përgjegjësi shihet edhe në videon tjetër të siguruar nga Insajderi.

Si pasojë e përplasjes fizike qytetari ka pësuar lëndime trupore.

Në pjesën e brendshme të buzës së poshtme vërehet një plagë e hapur, ndërsa në zonën e qafës shihen skuqje dhe gërvishtje.

Çka thotë IPK?

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar për Insajderin se rasti është duke u hetuar.

Sipas IPK-së hetimet po zhvillohen në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, në këtë fazë IPK ju konfirmon se është duke trajtuar ankesën e qytetarit ndaj zyrtarit policor  dhe se veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë ne konsultim me Prokurorin kompetent të  Prokurorisë Themelore Prishtinë”./insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark