Insajderi
Analiza

U dënua në Kosovë për krime kundër njerëzimit në Siri, Gjykata e mbyll për publikun aktgjykimin ndaj Murat Dernjanit

Insajderi
18 March 2026 - 16:07
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
U dënua në Kosovë për krime kundër njerëzimit në Siri, Gjykata e mbyll për publikun aktgjykimin ndaj Murat Dernjanit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Donjeta Islami

Ai ishte njeriu që tmerroi gratë dhe vajzat e mitura Yazidi në Siri, bashkëpunëtori i ngushtë i Lavdrim Muhaxherit dhe figura që tentoi t’i shpëtonte drejtësisë kosovare duke u hequr si shtetas gjerman. Në korrik të 2025-ës, Murat Dernjani u dënua 20 vjet burgim për krime kundër njerëzimit, por shteti ka vendosur që detajet e këtij dënimi tmerrues t’i mbajë larg syrit të publikut.

Gazeta Insajderi ka kërkuar zyrtarisht qasje në aktgjykimin e plotë ndaj Dernjanit, për të zbardhur provat që çuan në këtë dënim.

Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën, duke e mbyllur rastin me hermetizëm.

“Aktgjykimi në çështjen penale për të dënuarin M.D. nuk mund të vihet në dispozicion, për shkak se procesi është zhvilluar në seancë të mbyllur për publikun, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të viktimave”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës për Insajderin.

Pavarësisht kësaj, Insajderi sjell kronologjinë e plotë të rrugëtimit kriminal të një prej terroristëve më famëkeq të ISIS-it që ka njohur Kosova.

Bashkimi me ISIS-in dhe tmerri në Siri

Në vitin 2013, Murat Dernjani udhëtoi drejt Turqisë bashkë me gruan dhe djalin e tij, me një qëllim të qartë: bashkimin me organizatën terroriste ISIS.

Për katër vite radhazi, ai shërbeu në Siri dhe Irak, duke u bërë krah i djathtë i kryeterroristit Lavdrim Muhaxhiri. Gjatë kësaj kohe, emri i tij u lidh me brutalitet të skajshëm.

Raportimet e kohës dhe dosjet e prokurorisë dokumentojnë se Dernjani mbante gra dhe vajza të mitura të komunitetit Yazidi si skllave, duke i dhunuar dhe ekspozuar ato para pjesëtarëve të tjerë të ISIS-it.

Pasi u dorëzua te autoritetet turke në gusht të vitit 2017, Dernjani tentoi një manovër diplomatike. Ai u paraqit si shtetas gjerman (pasi kishte lindur në Dinslaken) me shpresën për t’u dërguar në Gjermani.

Siç kishte zbuluar Insajderi përmes komunikimeve të Ambasadës së Kosovës në Turqi, Gjermania kishte pranuar të merrte vetëm fëmijën e tij me nënshtetësi gjermane, por jo edhe vetë Dernjanin, të cilit i ishte revokuar leja e qëndrimit. Pas këtij refuzimi, ai u riatdhetua në Kosovë për t’u prangosur.

Dënimi i parë për terrorizëm

Në janar të vitit 2019, drejtësia kosovare e goditi për herë të parë. Dernjani pranoi fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste. Gjykata Themelore e Prishtinës e dënoi atë me 5 vjet burgim.

Por, ky ishte vetëm fillimi i llogaridhënies së tij para ligjit.

Pas një procesi të gjatë dhe të mbyllur për publikun, në korrik të vitit 2025, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë mori vendimin kapital.

Dernjani u shpall fajtor për “Krime kundër njerëzimit”, një nga veprat më të rënda në Kodin Penal.

Ai u dënua me 20 vjet burgim, duke u bërë një nga kosovarët e paktë që dënohet me këtë kualifikim për krimet e kryera në zonat e luftës në Lindjen e Mesme

Përkundër dënimit të rëndë, avokati i tij Dejan Vasiq e ka kontestuar procesin, duke pretenduar se provat ishin siguruar nga shërbime të huaja inteligjente dhe se ishin “të dyshimta”.

Ai kishte kërkuar që procesi të ishte publik, në mënyrë që Dernjani të deklarohej rreth akuzave që i cilësoi si “të rreme”.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark