Arianit Sllamniku, i cilësuar si konspiracionist, është lënë në liri.
Lajmi është bërë i ditur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka njoftuar se hetimet ndaj tij janë ende në zhvillim, por masa e arrestit shtëpiak ndaj Sllamnikut është ndërprerë.
Fillimisht, pas arrestimit, atij i ishte caktuar masa e paraburgimit për një muaj. Më pas, kjo masë ishte zëvendësuar me arrest shtëpiak, i cili tani është hequr plotësisht.
“Duke iu referuar kërkesës tuaj, të parashtruar më datë 17 mars 2026, përmes email-it zyrtar të PTH Gjilan, lidhur me rastin penal ndaj të pandehurit Arianit Sllamniku, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan është duke zhvilluar hetime dhe ndaj të njëjtit është ndërprerë masa e arrestit shtëpiak”.
Sllamniku prej kohësh paraqitej në publik si një person që pretendonte se “shëronte autizmin”.
Ai organizonte takime në ordinancën e tij me prindër të ndryshëm dhe persona në nevojë, të cilëve u përshkruante terapi të ndryshme për fëmijët në spektrin autik. Sipas pretendimeve, ndër këto “trajtime” përfshiheshin edhe barëra për kafshë, me arsyetimin se ndihmonin në largimin e parazitëve nga trupi i fëmijëve.
Madje, dyshohet se Sllamniku përfitonte mijëra euro nga këto konsultime me prindërit.
Disa prindër kanë deklaruar se janë konsultuar me të dhe se ai u kishte rekomanduar terapi të tilla.
Sipas Prokurorisë, Sllamniku po ndiqet penalisht për dy vepra: ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe kryerja e eksperimenteve të kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barnave.
Ndryshe, pas raportimeve në media, Sllamnikut i ishte mbyllur edhe ordinanca ku kryente konsultat, ku gjatë kontrollit ishin gjetur edhe armë dhe barna të ndryshme për kafshë.