Organizata joqeveritare “Lets Do it – Ta Pastrojmë Kosovën” ka bërë të ditur se janë larguar mbi 400 thasë me mbeturina nga liqeni i Badovcit.
Sipas njoftimit të tyre, rreth 200 vullnetarë nga të gjitha moshat iu bashkuan aksionit të pastrimit, përfshirë këtu edhe personel i FSK, KRU Prishtinës, KRM Pastrimit, zjarrfikësit e Prishtinës, Trafiku Urban, Federata e Peshkatarëve Sportiv të Kosovës, si dhe nxënësit dhe drejtoreshat e shkollave të mesme:
“28 Nentori”, “7 Shtatori”, “Hoxhë Kadri Prishtina”.
“Megjithatë, kjo nuk mjafton. Nuk mund të vazhdojmë vetëm me aksione simbolike. Ju bëjmë thirrje institucioneve që të marrin përgjegjësinë dhe të adresojnë seriozisht problemin e mbeturinave dhe ndotjes në Kosovë. Ne nuk do të ndalemi së reaguari – por zgjidhja kërkon veprim konkret, politika të qarta dhe zbatim të ligjit”, thuhet në njoftimin e “Lets Do it – Ta Pastrojmë Kosovën”. /Insajderi.org/