Një aksion i gjerë antidrogë është zhvilluar sot në rajonin e Suharekës, ku Policia e Kosovës ka realizuar një operacion kundër veprimtarive të paligjshme me substanca narkotike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka konfirmuar se nga operacioni, i koduar me emrin “Kimisti”, janë arrestuar tre persona.
Gjatë këtij operacioni është sekuestruar rreth 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Si dhe janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni.
“Ju konfirmoj se një operacion antidrogë i koduar me emrin “Kimisti” është iniciuar dhe zhvilluar pas hetimeve te perbashketa te Policisë së Kosovës me prokurorinë, përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore. Si rezultat i veprimeve të koordinuara operative dhe hetimore, sot është realizuar një aksion policor i suksesshëm antidrogë. Gjatë këtij operacioni është sekuestruar rreth 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë. Po ashtu, janë arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet kriminal. Në kuadër të operacionit janë kontrolluar tri lokacione në rajonin e Suharekës, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri dhe një sasi e konsiderueshme municioni dhe substancash narkotike. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren. Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet e antidrogës, mbetet e përkushtuar në luftimin dhe parandalimin e veprimtarive kriminale që lidhen me substancat narkotike”, ka thënë Hoxha.