Insajderi
Lajme

“Më thanë që nuk u ka punuar sistemi”, gazetari Berisha denoncon Gjykatën në Prishtinë për zvarritje të qëllimshme

Insajderi
24 March 2026 - 14:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Më thanë që nuk u ka punuar sistemi”, gazetari Berisha denoncon Gjykatën në Prishtinë për zvarritje të qëllimshme
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gazetari Ridvan Berisha, përmes një video-adresimi në rrjetet e tij sociale, ka denoncuar publikisht Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke e akuzuar për zvarritje të qëllimshme të procesit të tij gjyqësor.

Berisha ka bërë të ditur se, përkundër faktit që ligjërisht çdo gjë ishte në rregull, stafi administrativ i kësaj gjykate nuk e ka përcjellë lëndën e tij në Gjykatën e Apelit për një vit rresht.

Ai e ka cilësuar këtë situatë si të papranueshme, duke cituar arsyetimin që i është dhënë nga zyrtarët e gjykatës.

“Skandaloze! Edhe pse ligjërisht ishte çdo gjë në rregull, për një vit rresht stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk e çoi në Apel çështjen tashmë të gjykuar në rastin tim, me arsyetimin se nuk ju punoi sistemi online”, ka deklaruar Berisha.

Gazetari rikujtoi se më shumë se një vit më parë, Gjykata Themelore me vendim të saj kishte konstatuar se largimi i tij nga Radio Televizioni i Kosovës ishte i paligjshëm, duke urdhëruar kthimin e tij në vendin e punës.

Megjithatë, ky vendim nuk u zbatua dhe lënda mbeti e bllokuar në sirtarët e administratës gjyqësore.

Berisha u shpreh thellësisht i shqetësuar për këtë vonesë, duke thënë se po i mohohet një e drejtë elementare.

“Gjykimi në kohë të arsyeshme është e drejtë themelore e njeriut. Kjo e drejtë po më mohohet, jam thellësisht i shqetësuar. Pse për një vit rresht së paku nuk u evidentua për trajtim në Gjykatën e Apelit?”, ka pyetur ai gjatë reagimit të tij.

Berisha kërkoi ndërhyrjen e organeve më të larta të drejtësisë në vend për të korrigjuar këtë neglizhencë.

“Me respekt i drejtohem publikisht kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës që ta trajtojë me meritë rastin tim”, tha gazetari.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark