Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar N.M., shtetas i Kosovës, për vjedhje në Prishtinë.
Në njoftimin e policisë thuhet se përgjatë kontrollit të vendbanimit të dyshuarit, atij iu janë gjetur uniforma të policisë.
“Prishtinë, 26 mars 2026 – Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit pas një pune intensive hetimore dhe operacionale, ka arritur të arrestojë një person të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje”. Puna e zyrtarëve policorë ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit N.M., mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të realizuar në vendbanimin e të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar pjesë të uniformës së Policisë, si dhe prova të tjera materiale që lidhen me rastin. Në kuadër të hetimit, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerren veprime të mëtejme për zbardhjen e plotë të rastit”, përmbyllet njoftimi. /Insajderi.org/