Insajderi
Lajme

OVL-UÇK sot proteston para Kuvendit kundër ekspozitës për masakrat

Insajderi
30 March 2026 - 08:34
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
OVL-UÇK sot proteston para Kuvendit kundër ekspozitës për masakrat
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj ekspozites së Shkëlzen Gashit, e cilatrajton masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke e cilësuar atë si një përpjekje për relativizimin e krimeve serbe.

Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, e ka konsideruar këtë qasje të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës. Ai njëkohësisht ka bërë të ditur se do të mbahet një protestë të hënën para Kuvendit të Kosovës.

“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe dhe nuk do të heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që të hënën, në ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit”, deklaroi Syla.

Ai sqaroi se protesta do të zhvillohet te hyrja kryesore e Kuvendit dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj nisme.

“Kuvendi ka dy-tri hyrje, por bëhet fjalë për hyrjen kryesore, aty ku parkohen makinat e deputetëve dhe të atyre që veprojnë në Kuvend. Përmes kësaj konference, i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë, të na bashkohen në orën 13:00. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, por mbrojtje e historisë sonë. Ju presim para Kuvendit të Kosovës në orën 13:00, që së bashku të ngremë zërin në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të nderojmë kujtimin e martirëve tanë”, u shpreh Syla.

Kjo protestë ka marrë mbështetje edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark