Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se Shpëtim Dobra do të jetë kryesues i bordit të ndërmarrjes Trepça.
Ai ka propozuar emërimin e drejtuesit të ri të Bordit të Trepça Sh.A pas dorëheqjes së kryesuesit aktual
“Propozoj para jush Shpëtim Dobra, me qëllim të sigurisë së vazhdimësisë të angazhimit të bordit Sh.A”, deklaroi Kurti.
Shpëtim Dobra ka qenë udhëheqës i bordit të Telekomit të Kosovës nga viti 2021 deri më vitin 2024.
Dobra kishte ushtruar detyrën e kryesuesit në ndërmarrje publike edhe dy muaj pas skadimit të mandatit.
Në një komunikatë që Telekomi ua dërgoi punonjësve të saj, të cilën e kishte parë Insajderi, njoftohej për një vizitë nga dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Bëhej fjalë për Driton Hysenin dhe Jeta Statovcin, atëkohë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonomi.
Hyseni citohej duke thënë se si komision parlamentar “janë të lumtur që Telekomi i Kosovës po ecë në rrugë të mbarë, si në respektimin e ligjit për ndërmarrjet publike, ashtu edhe drejt investimeve teknologjike në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore”.
Pjesë e takimit ishin anëtarët e bordit, të cilëve veçse iu ka skaduar mandati tash e dy muaj. Pra, në takim përkrah kryeshefes Hana shiheshin Shpëtim Dobra, dikur kryesues i bordit dhe Sajmie Thaçi, anëtare paraprake e bordit.
Kjo binte ndesh me nenin 8 të Ligjit për Ndërmarrjet publike, i cili parasheh se “secili drejtor i zgjedhur shërben në mandat prej tri viteve”. /Insajderi.org/
