Insajderi
Lajme

Gjykata merr vendim ndaj pjesëtarit të MUP-it të dyshuar për krime lufte në Kaçanik

Insajderi
07 April 2026 - 12:26
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjykata merr vendim ndaj pjesëtarit të MUP-it të dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.D.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë vitit 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth të Komunës së Kaçanikut.

I pandehuri dyshohet se kreu veprën penale si pjesëtar i MUP-it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut.

“Sipas kërkesës, A.D., në cilësinë e pjesëtarit të MUP –it në Ferizaj dhe polic i trafikut në regjionin e Kaçanikut, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar të forcave policore, ushtarake serbe, më 09.03.1999, gjatë një aksioni të organizuar policor ushtarak kundër popullsisë civile shqiptare, i detyroi banorët të largohen nga shtëpitë e tyre, të cilat më pas u dogjën dhe u shkatërruan. Ndërsa nëntëdhjetë e një (91) meshkuj u ndanë nga rreth katërqind (400) burra, gra, pleq e fëmijë të grumbulluar, dhe u dërguan në stacionin policor në Kaçanik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

13 nga civilët, sipas Prokurorisë, u ndaluan, u rrahën e u maltretuan në mënyrë çnjerëzore nga i dyshuari A.D.

“Sipas kërkesës, prej tyre, trembëdhjetë (13) civilë u ndaluan me qëllim të marrjes në pyetje, me ç‘rast u rrahën dhe u torturuan në mënyrë brutale, çnjerëzore, fizike dhe psikike nga i pandehuri A. D., duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore në pjesë të ndryshme të trupit”, njoftoi Prokuroria.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark