Insajderi
Lajme

Dështimi afro 1 milionësh në IML: Faktet që demantojnë reagimin e institucionit – Pse u mbyllën dyert për kamerat?

Insajderi
08 April 2026 - 19:33
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dështimi afro 1 milionësh në IML: Faktet që demantojnë reagimin e institucionit – Pse u mbyllën dyert për kamerat?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Donjeta Islami

Pas hulumtimit të Insajderit mbi vonesat dhe parregullsitë në renovimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ky institucion ka zgjedhur mbrojtjen përmes një reagimi ku i quan pamjet tona “të vjetra” dhe “tendencioze”. Mirëpo, faktet e reja dhe ballafaqimi i argumenteve dëshmojnë një realitet krejtësisht tjetër nga ai që tenton të paraqesë menaxhmenti i IML-së.

Në reagimin e tyre, IML ka publikuar fotografi të katit të parë të objektit, ku stafi tashmë është vendosur, për të krijuar përshtypjen e një pune të përfunduar. Mirëpo, hulumtimi i Insajderit është fokusuar te kati përdhes, aty ku gjendet salla e autopsisë dhe ku dështimi i investimit është alarmant. Publikimi i pamjeve të një kati të renovuar për të fshehur kaosin në katin tjetër, është siç thanë vet ata, tentim i pastër për çorientimin e opinionit.

Institucioni hesht para një fakti tjetër të rëndë: Vetëm për fasadimin e jashtëm dhe ndërrimin e dritareve janë ndarë rreth 130 mijë euro. Sot, në prill të vitit 2026, fasadimi i premtuar nuk ka ndodhur, ndërsa në objekt shihet ende një numër i konsiderueshëm i dritareve dhe dyerve të vjetra. Ku shkuan këto mjete dhe pse ato nuk u specifikuan në reagim?


Në reagimin e tij, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka pretenduar se pamjet e kanalizimit janë të vjetra dhe nuk pasqyrojnë realitetin. Mirëpo, Gazeta Insajderi konfirmon me dëshmi kronologjike se pamjet e sallës së autopsisë, të mbuluar nga lëngjet biologjike dhe ujërat e zeza, janë realizuar në mars të këtij viti.

Për më tepër, për hir të korrektësisë dhe interesit publik, duhet potencuar se në momentin e dokumentimit të kësaj gjendjeje alarmante, të pranishëm në ato hapësira kanë qenë edhe studentë të mjekësisë dhe praktikantë, të cilët janë ekspozuar drejtpërdrejt ndaj këtij rreziku biologjik.

Gjithashtu, pamjet në oborrin e IML-së, ku punëtorët shihen duke nxjerrë me kova ujërat e zeza të përziera me gjak, janë regjistruar saktësisht më 19-20 mars 2026.

IML-ja ka zgjedhur të heshtë për këtë pjesë në reagimin e saj, duke mos ofruar asnjë fotografi dëshmuese nga pusetat e jashtme, të cilat sipas informacioneve që posedon Insajderi, vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë teknike.

Për më tepër, në shkrimin e publikuar më 6 prill, ne kemi pasqyruar edhe përgjigjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit të IML-së, Agron Thaqi, i cili kishte deklaruar se gjendja e paraqitur ishte vetëm e përkohshme, pra për pjesën e kanalizimit.

Në përpjekje për të zhvlerësuar pamjet tona, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përdorur një arsyetim që në fakt konfirmon hulumtimin tonë. Sipas tyre, pamjet e publikuara “i referohen fazave të punimeve që janë ende në proces dhe paraqesin gjendje të përkohshme në terren”.

Por, rrjedhimisht duke deklaruar se punimet janë “ende në proces”, IML pranon zyrtarisht se projekti ka dështuar të përfundojë brenda afatit ligjor. Sipas kontratës me kompaninë “MBB Construction”, çdo “gjendje e përkohshme” dhe çdo proces pune duhej të kishte përfunduar saktësisht më 21 maj 2025.

Çfarëdo “faze e punimeve” në prill të vitit 2026, është dëshmi e një vonese prej gati një viti për të cilën askush nuk ka dhënë llogari.

Ky degradim faktik është dokumentuar në një kohë kur, sipas kontratës zyrtare me kompaninë “MBB Construction”, të gjitha punimet do të duhej të kishin përfunduar para rreth një viti, saktësisht më 21 maj 2025. Çdo tentim për t’i cilësuar këto pamje si “të vjetra” bie ndesh me realitetin e një projekti që ka shkelur çdo afat ligjor dhe standard të sigurisë shëndetësore.

Përkundër pretendimit për “ndryshime drastike”, realiteti brenda IML-së mbetet ai i një punishteje të rrezikshme. Shkallët e improvizuara vazhdojnë të jenë mjeti i lëvizjes për stafin, pamje të cilat IML nuk i paraqiti sot në reagimin e tyre.


Nëse gjendja në IML është aq “normale” dhe “transparente” sa pretendohet në reagim, lind pyetja: Pse u.d. Drejtori Agron Thaqi refuzoi kërkesën e Insajderit për të hyrë me kamerë brenda objektit?

Heshtja ndaj kërkesave për qasje dhe mbyllja e dyerve për mediat vërtetojnë se menaxhmenti ka çfarë të fshehë.

Është evident fakti se vetëm pas presionit të pyetjeve tona, ka pasur përpjekje të shpejtuara për të rregulluar disa pjesë të objektit, por kjo nuk e fshin faktin se afro 1 milion euro janë shpenzuar për një projekt që ende nuk i ngjan një institucioni mjekoligjor.

Si rrjedhojë, Insajderi mbetet prapa pamjeve të publikuara dhe çdo rreshti të hulumtimit:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark