Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij zyrtare në Londër.
Zyra e Kryeministrit njoftoj se ai atje është pritur nga Sekretarja për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretëria e Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve.
“Në fokus të diskutimeve ishte edhe zhvillimi ekonomik i vendit, ku kryeministri theksoi rritjen e buxhetit dhe shpërndarjen e drejtë të tij, si dhe evidentoi sektorët në zhvillim, veçanërisht teknologjinë dhe bujqësinë”, thuhet në njoftim.
Shefi i Qeverisë së Kosovës, gjithashtu vuri theksin tek investimet në mbrojtje.
“Në aspektin e zhvillimit demokratik, ai vlerësoi procesin e zbatimit të Ligjit për të Huajt, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të tij të plotë dhe pa përjashtime. Duke folur për synimet strategjike, Kurti ritheksoi se anëtarësimi në NATO dhe Bashkimi Evropian mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të Kosovës. Ai gjithashtu informoi palën britanike për kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, me mbështetjen e Rusia, duke përmendur praninë e bazave ushtarake pranë kufirit me Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti përsëriti tri kushtet për vazhdimin e tij: dorëzimin e Milan Radoiçiqit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.