Insajderi
Lajme

Vdekja tragjike e punëtorit në Ferizaj – zbulohet identiteti i personit të arrestuar, ja çfarë thotë Prokuroria

Insajderi
14 April 2026 - 12:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vdekja tragjike e punëtorit në Ferizaj – zbulohet identiteti i personit të arrestuar, ja çfarë thotë Prokuroria
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se përfaqësuesi i kompanisë ku humbi jetën punëtori B.N, ndodhet aktualisht nën masën e ndalimit prej 48 orësh. Ngjarja e rëndë, e cila ka tronditur opinionin publik, ndodhi gjatë ditës së djeshme në vendin e punës.

Personi që ka pëfunduar i arrestuar është djali i pronarit të kompanisë, Ngadhnim Emerllahu.

Në një përgjigje zyrtare për Gazetën Insajderi, prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari po hetohet për shkelje të rënda të sigurisë në punë.

Sipas Prokurorisë, masa e ndalimit është lëshuar mbi dyshimin për kryerjen e veprës penale: “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”

“Lidhur me kërkesën tuaj për informacion, ju njoftojmë se i dyshuari lidhur me këtë rast është ndaluar dhe vazhdon të jetë nën masën e ndalimit 48-orësh, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” nga neni 358 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i shtetit është duke analizuar dhe vlerësuar rastin për të vazhduar tutje me procedurat ligjore.” thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e hënë në rrugën “Remzi Hoxha” në Ferizaj, ku dyshohet se punëtori i moshës 59-vjeçare, ka rënë nga kati i gjashtë i një objekti të ndërtimit.

Rastin për Insajderin e ka konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli teksa dha detaje.

“Me datë 13.04.2026, rreth orës 11:45, është pranuar informatë se në rrugën “Remzi Hoxha” një person ka rënë nga një objekt në ndërtim. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendngjarje, ku edhe ekipet emergjente kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Dyshohet se viktima është nje mashkull 59 vjeç , i cili ka rënë nga kati i 6-të i objektit në ndërtim gjatë punimeve. Policia ka siguruar vendin e ngjarjes, ndërsa janë njoftuar hetimet, forenzika rajonale dhe inspektorët komunal të punës. Për informata shtesë do të njoftoheni me raport të mëvonshëm”, ka thënë Veseli.

Një ditë më parë, Gazeta Insajderi raportoi se i ndjeri ishte i angazhuar në kompaninë Kinemaja e Re, pronari i së cilës u intervistua në stacionin policor të Ferizajt.

Insajderi ka provuar të kontaktojë me kompaninë, mirëpo me një gjuhë vulgare kanë refuzuar hapësirën për koment.

“Ec more baje b*then, na jemi në siklet tonin“, është shprehur përfaqësuesi i kompanisë. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark