Insajderi
Op-Ed

Pse Projektligji për Byronë kërcënon shtetin e së drejtës dhe sigurinë juridike?

Insajderi
15 April 2026 - 20:04
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Pse Projektligji për Byronë kërcënon shtetin e së drejtës dhe sigurinë juridike?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Zyhdi HAJZERI, Jurist

Reforma në drejtësi dhe lufta kundër pasurisë së pajustifikueshme janë kërkesa të drejta dhe të domosdoshme të shoqërisë sonë. Megjithatë, kur një qëllim i mirë planifikohet të arrihet me mjete, forma dhe ligje që cenojnë parimet themelore kushtetuese, rrezikojmë të kalojmë nga sundimi i ligjit në arbitraritet institucional. Në këtë kuptim, ky projektligj nuk është vetëm një tekst teknik, por një ndërhyrje që prek drejtpërdrejt rendin juridik dhe ekuilibrin e shtetit të së drejtës.

Ky projektligj, synon krijimin e një mekanizmi të ri për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë. Qëllimi i deklaruar është lufta kundër pasurisë së pajustifikueshme. Por mënyra si është ndërtuar dhe forma e përpiluar ky mekanizëm ngre shqetësime serioze kushtetuese, sepse prek disa nga garancitë më themelore të qytetarit.

Një nga problemet më të dukshme shfaqet në nenet 2.2 dhe 2.4, ku cenohet parimi i ndalimit të retroaktivitetit dhe siguria juridike. Ligji parashikon që të hetohet dhe të justifikohet pasuria e fituar “kurdo nga data 17 shkurt 2008” dhe madje edhe deri në 10 vite pas përfundimit të funksionit publik. Kjo krijon një efekt real prapaveprues në dëm të individit. Neni 7 i Kushtetutës e vendos sundimin e ligjit si vlerë themelore dhe kërkon që qytetari të ketë parashikueshmëri të qartë për pasojat juridike të veprimeve të tij. Kur shteti kërkon të justifikosh pasuri për periudha kaq të largëta kohore, krijohet një situatë ku qytetari vendoset në pamundësi reale për të ofruar prova, sepse dokumentet financiare mund të jenë asgjësuar në mënyrë të ligjshme pas kalimit të afateve ligjore. Kështu, një pamundësi objektive shndërrohet në dyshim juridik kundër individit dhe cenon pritshmëritë legjitime e kësaj kur ja shtojmë faktin se me këtë projektligj qytetarit i bie barra e provës gjë e cila është ne kundërshtim te plote me nenin 31 te Kushtetutës gjë e cila kërkohet ta bej shteti apo organi akuzues, dhe kjo e rendon tej mase gjendjen dhe shkel ne mënyrë flagrante parimet e drejtësisë.

Në të njëjtën linjë, projektligji në nenet 3.1.8 dhe 24.8 parashikon standardin civil të “vlerësimit të gjasave” (51%). Ky standard do të thotë se gjykata mund të vendosë nëse një fakt është më i mundshëm sesa jo. Edhe pse ky standard përdoret në çështje civile, ai është dukshëm i ulët për një ndërhyrje kaq të rëndë si konfiskimi i tërësishëm i pasurisë. Referuar praktikës së Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe interpretimit të nenit 46 të Kushtetutës, ndërhyrjet në pronë duhet të jenë të bazuara në prova të forta, të qarta dhe të kalojnë testin e proporcionalitetit. Një standard prej vetëm 51% krijon hapësirë të madhe për subjektivizëm gjyqësor dhe vendime të paqëndrueshme, duke e dobësuar sigurinë juridike të qytetarit.

Për më tepër, vetë përkufizimi i “pasurisë së pajustifikueshme” e lidh ligjshmërinë e pasurisë me aftësinë e qytetarit për ta provuar atë. Kjo në praktikë përmbys barrën e provës dhe e zhvendos nga shteti te individi. Në një sistem të drejtë, është shteti ai që duhet të provojë pretendimet e tij, jo qytetari që duhet të justifikojë çdo element të pasurisë së tij pa kufi kohor të arsyeshëm. Kjo logjikë përforcohet edhe nga neni 24.9, i cili krijon një situatë ku heshtja apo mosparaqitja e palës mund të përdoret si bazë për konfiskim. Kjo bie ndesh me prezumimin e pafajësisë dhe me të drejtën për të mos u vetëinkriminuar.
Një problem shumë serioz paraqitet edhe në nenin 16.16, i cili praktikisht anashkalon Kuvendin e Republikës së Kosovës në procesin e emërimit të Drejtorit. Në rast se Kuvendi nuk arrin të zgjedhë drejtorin, atëherë mekanizmi i paraparë i kalon kompetencat një strukture administrative. Kjo cenon drejtpërdrejt parimin e ndarjes së pushteteve, të garantuar nga nenet 4 dhe 65 të Kushtetutës, dhe krijon një institucion që nuk i nënshtrohet kontrollit të mjaftueshëm demokratik dhe parlamentar.

Procedurat e parashikuara në nenet 32.4 dhe 26.2/29.1, që lejojnë vendosjen jashtë seancës dhe nuk parashohin efekt pezullues të mjetit juridik, cenojnë të drejtën për një proces të rregullt. Kushtetuta garanton të drejtën për t’u dëgjuar dhe për mjete juridike efektive. Në praktikë, një ankesë që nuk e ndalon zbatimin e vendimit nuk është mjet real mbrojtjeje, sepse dëmi mund të ndodhë menjëherë dhe të bëhet i pakthyeshëm para vendimit përfundimtar.
Në të njëjtën logjikë problematike hyn edhe koncepti i “vlerës zëvendësuese” (neni 43.1), i cili lejon konfiskimin e pasurisë së ligjshme për të mbuluar një vlerë të supozuar si të paligjshme. Kjo do të thotë se edhe pasuria që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me veprimin e dyshuar mund të preket. Kjo përbën një ndërhyrje jo proporcionale dhe cenon thelbin e të drejtës së pronës private.

Projektligji ndërhyn gjithashtu në pavarësinë e gjyqësorit përmes nenit 55.1.3, duke kufizuar mekanikisht mundësinë e rigjykimit. Një kufizim i tillë prek diskrecionin gjyqësor dhe kontrollin e plotë të ligjshmërisë. Ndërkohë, afati shumë i shkurtër prej vetëm 3 ditë për palët e treta (neni 61.8) është praktikisht i pamjaftueshëm dhe e bën mbrojtjen juridike pothuajse iluzore për bashkëpronarët apo kreditorët e mirëbesimit.
Në aspektin e sigurisë juridike, neni 63.8 cenon parimin e “gjësë së gjykuar” (ne bis in idem), duke lejuar që një çështje të hapet sërish në formë civile edhe pas një vendimi përfundimtar penal. Kjo krijon pasiguri të vazhdueshme juridike dhe e dobëson përfundimtaritetin e vendimeve gjyqësore. Po ashtu, mungesa e efektit pezullues të revizionit (neni 57.6) lejon që pasuria të shitet edhe gjatë kohës kur lënda është ne shqyrtim në Gjykatën Supreme te Kosovës, duke krijuar pasoja që më pas nuk mund të rikuperohen realisht, sidomos kur bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme si shtëpi apo biznese.

Projektligji krijon gjithashtu një strukturë të centralizuar, ku një divizion i vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka juridiksion për tërë territorin e Kosovës. Ky centralizim rrit rrezikun e mbingarkesës, por edhe të mungesës së standardeve të njëjta në praktikën gjyqësore.
Andaj, kombinimi i të gjitha këtyre elementeve krijon një sistem ku qytetari vendoset në pozitë të pafavorshme përballë shtetit: standard i ulët i prove, barrë prove e zhvendosur, mungesë e mjeteve efektive juridike dhe rrezik për konfiskim të pasurisë së ligjshme. Ky nuk është më një proces i balancuar, por një mekanizëm me prirje ndëshkuese.

Në aspektin kushtetues, çdo ndërhyrje e tillë duhet të kalojë testin e proporcionalitetit: të jetë e përshtatshme, e domosdoshme dhe në raport të drejtë mes interesit publik dhe të drejtave individuale. Ky projektligj, në formën aktuale, nuk e kalon këtë test.
Lufta kundër korrupsionit është e domosdoshme, por duhet të zhvillohet brenda kufijve të Kushtetutës. Një ligj që dobëson sigurinë juridike, përmbys barrën e provës dhe cenon kontrollin demokratik, nuk e forcon shtetin e së drejtës. Përkundrazi, krijon hapësirë për arbitraritet dhe rrezikon seriozisht liritë themelore të qytetarëve. Përveç këtyre ka edhe një numër te madh te shkeljeve tjera dhe parregullsive tjera ne këtë projektligj.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark