Policia e Kosovës ka realizuar bastisje në gjashtë lokacione të ndryshme në Zubin Potok, ku ka sekuestruar armatim të llojit të ndryshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me anë të një njoftimi në ‘Facebook’, shkruan Insajderi.
Sveçla ka thënë se policia ka sekuestruar radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion.
“Pas bastisjeve të zhvilluara në gjashtë lokacione në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka sekuestruar sot armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion. Provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend. Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla. /Insajderi.org/