Në fjalën përfundimtare të dhënë sot nga prokurorja, Javorka Prellinçeviq, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, çështja ka marrë një rrjedhë tjetër.
Në seancën gjyqësore, prokurorja ka deklaruar se njëri nga fëmijët e të ndjerës ka pohuar se ka qenë dëshmitar në momentin kur nëna e tyre është vrarë nga i akuzuari Granit Plava.
Sipas Prelinçeviq, fëmija para psikologut ka deklaruar: Hajni e ka futur dorën dhe ia ka bërë mamit bam.
Po ashtu, prokurorja ka theksuar edhe ekspertizën mjekoligjore, në të cilën thuhet se në krahun e majtë të të ndjerës kishte pasur hematoma, që tregojnë se dikush e kishte mbajtur për krahu, dhe sipas saj, ai person ka qenë Naim Murseli.