Gazeta Insajderi ka siguruar kërkesën e plotë të Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 19 personave të arrestuar në aksionin e fundit kundër bixhozit të paligjshëm. Dokumentet zbardhin një rrjet të mirëfilltë kriminal, ku përgjimet telefonike dhe vëzhgimet në terren dokumentojnë qarkullimin e mijëra eurove dhe organizimin e basteve online në lokacionet si “Offside Sport Bar”, “Bercom” dhe “Offside 02”.
Sipas dosjes që ka siguruar Insajderi, Arbër Berani konsiderohet si një nga figurat kyçe të organizimit.
Prokuroria ka administruar përgjime të realizuara më 7 mars 2026, ku Berani komunikon me bashkëpunëtorë për një “porosi” që vinte nga Gjermania.
Në këto biseda, ai udhëzon që mjetet monetare (të cilave u referohen me kodin “porosi”) të dërgohen në Fushë Kosovë te lokali “Bercom”, duke kërkuar kujdes të shtuar: “Po de, veç natën e mos t’i maj gjeth ato me veti, për qato po thom”.
Prokuroria vlerëson se ky komunikim dëshmon tentativën për të shmangur zbulimin nga organet e rendit gjatë transportit të parave të bixhozit.
Në lokalin “Offside 02”, hetuesit kanë dokumentuar se klientët nuk shërbeheshin me pije apo ushqim, por përdornin telefonat për baste online. Një detaj specifik në dosje tregon se njëri prej personave në lokal po priste rezultatin e ndeshjes së Aston Villës për të realizuar një fitim prej 4 mijë eurosh.
Për prokurorinë, kjo dëshmon se aktiviteti ishte real, aktiv dhe i orientuar drejt fitimeve të mëdha.
Një tjetër emër qendror në këtë dosje është Nexhat Maloku.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia ka sekuestruar rreth 156 mijë euro para të gatshme. Sipas prokurorisë, Maloku kishte rol administrues të parave që vinin nga pikat e bixhozit.
Më 1 mars 2026, Maloku dëgjohet duke pyetur personin me emrin Bujar: “A u lodhe, a i ki tërheq ato të vjetrat?”. Prokuroria sqaron se terminologjia “të vjetrat” i referohet shumave të parave të fituara nga bastet që duheshin grumbulluar.
Në dosje përmenden edhe emrat e Dardan e Flamur Sahitit, dyshja sipas dosjes së prokurorisë punonin nën urdhrat e Arbër Beranit, duke hapur dhe rimbushur llogari për klientët.
Flamur Sahitit iu sekuestruan rreth 4 mijë euro kesh gjatë aksionit.
Raif Sylaj dhe Bujar Muli dyshohet se kishin rolin e dorëzimit të parave te Nexhat Maloku.
Në një bisedë tjetër, Bujari ankohet se një person “osht plus 9500 e që ka marak me lu, po osht ksi marakli që lun aparata”, duke konfirmuar qarkullimin e vlerave të larta financiare në këtë rrjet.
Lexo edhe:
Prokuroria vlerëson se me këto veprime, të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, në kundërshtim me nenin 294 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në lidhje me nenet për bashkëkryerje dhe rrethana rënduese.
Për këtë arsye, i është propozuar gjykatës që ndaj të gjithë të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, duke u bazuar në dispozitat për rrezikun e arratisjes dhe ndikimit në rrjedhën e procedurës penale./Insajderi