Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.K., e dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se mes 29 nëntorit 2025 dhe 26 janarit 2026, në një shtëpi në rrugën “Ndue Përlleshi”, ka vjedhur 176,900 dollarë dhe 3,750 euro, duke përdorur çelësin e kasafortës së pronarit.
E dyshuara ndodhet në ndalim 48-orësh që nga 21 prilli 2026, ndërsa Prokuroria po kërkon paraburgimin e saj.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Pejës kërkon paraburgim ndaj të pandehurës për veprën penale “Vjedhje e rëndë”
Pejë, 22 prill 2026 – Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pejë, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vepër penale “Vjedhje e rëndë“ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura A.K, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, mes datave 29 nëntor 2025 dhe 26 janar 2026, në rrugën ‘Ndue Pёrlleshi’ nё Pejё, në një shtëpi banimi, duke pasur çelësin e kasafortës të pronarit dyshohet t’i ketë vjedhur shumën e parave prej 176.900 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtëmijë e nëntëqind) dollarë amerikanë dhe 3750 ( tremijë e shtatëqind e pesëdhjetë) euro dhe me pas largohet nga shtëpia pa u vërejtur nga askush.
Andaj, sipas Prokurorisë, e njëjta me këto veprime do të kryente veprën penale “Vjedhje e rëndë” sipas KPRK-së dhe nga data 21 prill 2026 gjendet në ndalim në kohëzgjatje prej 48 orësh.