Gjatë mbrëmjes së djeshme, rreth orës 20:15, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar një informatë se në fshatin Bajnicë të Kaçanikut janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri.
Në lidhje me rastin, njësitet reaguese dhe ato të hetimeve kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Sipas dyshimeve, persona të panjohur, të cilët lëviznin me një veturë të tipit xhip me ngjyrë të zezë dhe me targa vendore, kishin hyrë në thellësi të malit në fshatin Bajnicë, ku kishin shkrepur armë zjarri të tipit AK-47, duke zbrazur rreth dy karikatorë në ajër.
Njësiti i hetimeve i stacionit policor në Kaçanik, pas kryerjes së shikimit të vendit të ngjarjes, ka gjetur 49 gëzhoja. Më pas, është arritur të lokalizohet edhe vetura e dyshuar, e cila është gjetur e parkuar në një autoservis.
Pas zhvillimit të hetimeve, është identifikuar i dyshuari me inicialet E.S (26 vjeç), tek i cili janë sekuestruar një armë zjarri, pushkë automatike e tipit AK-47, si dhe 35 fishekë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar. Me vendim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rasti “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.