Insajderi
Lajme

“Mundësoi monopolin e një kompanie farmaceutike”- Kuvendi diskuton për propozimin e Driton Velës, ish-kandidatit të VV’së, në një institucion të pavarur

Insajderi
27 April 2026 - 15:16
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
“Mundësoi monopolin e një kompanie farmaceutike”- Kuvendi diskuton për propozimin e Driton Velës, ish-kandidatit të VV’së, në një institucion të pavarur
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Emri i Driton Velës u bë temë diskutimi në Kuvendin e Kosovës, pasi ky i fundit u propozua për anëtar në bordin e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, në seancën e së hënës është deklaruar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, i cili tha se Vela mundësoi monopolin farmaceutik për një kompani, pa ia përmendur emrin, shkruan Insajderi.

“Qiky person ka qenë bartës i listës esenciale të barnave, i ka lejuar një kompanie farmaceutike me fut barna dhe me kriju monopol dhe qajo kompani farmaceutike i ka fituar nja 170 milionë tendera në emër të qatij monopoli. Qishtu është lidhja e krimit. Qitu është një që ulet qitu, që ai është personi që e ka mbajt para dursh edhe të tjerët për mi përfitu qata miliona. Qito lajmet që po i shihni çdo ditë për mungesën e barnave kundër kancerit, i kanë qita emra, sikur ky person që është sot me e dërgu në Agjencinë e Akreditimit“, tha Zemaj.

Zemaj po ashtu kujtoi se Vela ishte kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2019-ës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe ritheksoi faktin e përjashtimit të kësaj agjencia nga ENKA para disa vitesh për shkak të politizimit të saj.

“Përveçqë është i ngjyrosur politikisht, ka qenë kandidat i LVV-së, nuk është edhe i zoti profesionalisht. Temat e tij janë kontestuar nga kolegët e tij, që janë shumë më profesional edhe me tituj akademik. Ai është akuzu edhe për plagjiat, edhe për mashtrim. Ai është me emër mbiemër, një profesoreshë e nderume e cila koinçidon se është anëtare e LVV-së, por e ka ndoshta egon e vetë profesionale, edhe nuk e pranon një mashtrues si ai me qenë anëtar i këtij agjencioni shumë kredibil“, deklaroi më tej ai.

Për çështjen e Velës u deklarua edhe deputetja e LDK’së, Jehona Lushaku, e cila tha se propozimi i tij është tentim-kapje e institucionit të pavarur.

“Po flasim për tentim-kapjen dhe politizimin e saj. Agjencioni për Akreditim është përjashtuar nga anëtarësimi ndërkombëtar në ENKA vetëm pse është politizuar. Tash po na përsëritet historia, bash prej partisë parti politike që flet për cilësi në arsim. Konkretisht bëhet fjalë për instalimin e njerëzve në këtë bord. Po flasim për Driton Velën, ish-kandidat për deputet nga radhët e VV’së. A ka më kapje eklatante dhe të dukshme? Sepse pushteti po don me e kapë agjencionin, qikaq e thjeshtë është“, tha ndër të tjera Lushaku.

Deputetja e PDK’së, Sala Jashari, e bëri të qartë se partia e saj nuk e voton emrin e Driton Velës.

“Si mundeni të sillni një emër të tillë?…PDK jo që nuk e voton, por do ta luftojë çdo herë politizimin e arsimit në Kosovë….Kjo është për turp”, tha Sala Jashari.

Kundër këtij propozimi u shpreh edhe Time Kadriaj, e cila polemizoi paksa edhe me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiun.

“Po shihet qartë cila është tendenca e LVV-së. Ty kryetare të kujtohet shumë mirë sepse je prej fillimit, të kujtohen premtimet me të cilat keni ardhë në pushtet. Të afërmit, militantët e partisë janë për dasma, për ahengje. Kanë qenë fjalët e Lëvizjes Vetëvendosje, se keni thanë që institucioni duhet me qenë i pavarur. Këto ditë, duke e ditë që ka zgjedhje, shihni me procedura të përshpejtuara, po sjellni ligje”, tha Kadriaj.

Akuza të rënda ndaj Velajt pati edhe deputetja Ganimete Musliu, e cila pretendoi se ai privoi pacientët me “bindje të tjera politike” nga marrja e terapisë falas që është e dedikuar për qytetarët që vuajnë nga kanceri.

Gazeta Insajderi raportoi para pak ditësh se Qeveria Kurti 3 mbajti mbledhje elektronike në orë të vona, për ta marrë një vendim të vetëm. Miratimin e vendimit për t’ia propozuar Kuvendit ratifikimin e tre anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Në mesin e emrave ishte edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Vela.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, u bë e ditur se tre emrat, të cilët do t’i shkojnë kuvendit, janë: Driton Vela në fushën e shkencave mjekësore, Florim Gallopeni në shkencat humane dhe Shkurtë Bajgora nga radhët e studentëve, shkruan Insajderi.

Driton Vela gjatë vitit 2019 i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Vetë subjekti politik e kishte prezantuar si përforcim.

“Driton Vela në VETËVENDOSJE!. Tash jemi edhe më të fortë e më të përgatitur. Ai është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe specialist i mjekësisë interne. Definitivisht një profesionist i përkushtuar i profesorëve të gjeneratës së re me arritje të konfirmuara në fushën e shkencës. Dritoni e mori çmimin Shkencëtari i Vitit më 2018. Dhe botoi librin e çmuar nga fusha e mjekësisë – Fiziologjia e Sistemit Kardiovaskular. Shumë të gëzuar që do ta bëjmë së bashku rrugën e mbetur për ndryshimin e domosdoshëm të vendit tonë“, thuhej në njoftimin e VV’së më 2019-ën.

Vela kishte provuar fatin që të bëhet deputet në zgjedhjet e 2019-ës, megjithëse s’ia kishte dalë. Ai radhitej në mesin e më pak të votuarve, duke marrë vetëm 955 vota.

Driton Vela ishte emëruar më 2021-ën në Bordin Qendror për Shkollim Specialistik nga Ministria e Shëndetësisë.

Vela është i angazhuar edhe si asistent në Fakultetin e Mjekësisë. Ai më herët akuzohej nga kolegët për mashtrim. Profesoresha Hatixhe Latifi-Pupovci e kishte akuzuar se kishte gënjyer për doktoraturë dhe kishte thënë se “nuk e di se çka janë punimet shkencore”.

“Është autor i DY punimeve të publikuara në REVISTA PREDATORE të shtëpisë botuese Frontiers. Për këtë kam shkruar edhe në vitin 2019. Gënjen kur thotë se ka botuar librin e parë të Fiziologjisë. Nuk ka botuar librin e Fiziologjisë. Ka botuar libër një kapitull të vetëm të Fiziologjisë nga 12 kapituj sa ka lënda e Fiziologjisë. Manipulon kur thotë se recenzenti i tij është nga SHBA. Recenzenti i librit të tij është një ish-profesor i Fakultetit tonë, mik i babait të Driton Velës. Gënjen kur thotë se doktoratën e ka përfunduar në Shkup. Ai ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës, ndërsa unë kam qenë kryetare e komisionit për mbrojten e doktoratës. Gënjen se punimi im është autoplagjiat. Të tillë nuk e konsideron shtëpia botuese e revistës Journal of Thyroid Research, përkundër dhjetëra e-mailave që i ka dërguar në adresë të shtëpisë botuese brenda një harku kohor 3-vjeçar. Përndryshe, punimi do të tërhiqej nga vet shtëpia botuese“, thuhej ndër të tjera në reagim të saj.

“Driton Vela nuk di çfarë janë hulumtimet shkencore, sepse në jetën e tij të bujshme “shkencore” ka bërë vetëm një hulumtim, atë të doktoratës. Nga 13 punime sa ka, vetëm dy janë punime origjinale (nga doktorata e tij), ndërsa 11 janë punime revyal“, përmbyllet reagimi i profesoreshës Latifi-Pupovci. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark