Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore të Pejës, në rastin ku Abdullah Tuna dhe subjekti juridik “Interstone LLC” akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim të kreditorëve.
Mungesa e të pandehurit Tuna ka detyruar gjyqtaren e rastit, Selvije Morina Zejnaj, që të shtyjë seancën për muajin qershor, duke paralajmëruar masa detyruese për sigurimin e pranisë së tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të cilën e ka siguruar Insajderi, Abdullah Tuna, në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “Interstone LLC” (me pronar shtetasin turk Ibrahim Halil Yurtseve), dyshohet se ka tentuar të përfitojë kundërligjshëm një shumë prej 80 mijë eurosh.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit, në prill të vitit 2018, kishin iniciuar një procedurë përmbarimore kundër një kompanie kosovare, duke prezantuar para përmbaruesit privat fatura që dyshohen se janë të falsifikuara. Këto fatura, që mbajnë data të viteve 2015 dhe 2016, thuhet se nuk përfaqësojnë raporte reale biznesore, por janë krijuar fiktivisht për të tentuar vjeljen e një borxhi të paqenë.
Një pikë kyçe e dosjes së prokurorisë është ekspertiza grafologjike e kryer nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë. Raporti i forenzikës ka konstatuar se vulat dhe nënshkrimet e përdorura në faturat e prezantuara nga “Interstone” nuk janë origjinale dhe nuk përkojnë me ato të kompanisë kosovare që ishte shënjestër e pretendimit për borxh.
Mbi bazën e këtyre provave, prokuroria ngarkon të pandehurit për bashkëkryerje të veprave penale: Falsifikim i dokumenteve (Neni 390 i KPRK-së) ; Mashtrim ose dëmtim i kreditorëve (Neni 283 i KPRK-së)
Policia do të verifikojë adresën e të pandehurit
Në seancën e sotme, përveç të pandehurit Tuna, munguan edhe mbrojtësit e tij, të cilët kishin njoftuar gjykatën përmes postës elektronike për angazhime të tjera.
Për shkak të mospranimit të ftesës nga ana e të pandehurit, gjykatarja Morina Zejnaj mori vendim që të lëshohet urdhër për verifikim dhe dorëzim të ftesës përmes organeve të rendit.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 16 qershor 2026, në ora 13:30, ku pritet të sigurohet edhe një përkthyes i gjuhës turke për të akuzuarit. /Insajderi.org/