Insajderi
Hulumtime/Analiza

Vendimi i çuditshëm i OSHP-së – Si “shpëtoi” Bonn Projekt nga skualifikimi për dyshimet e falsifikimit të dokumenteve

Insajderi
29 April 2026 - 15:21
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vendimi i çuditshëm i OSHP-së – Si “shpëtoi” Bonn Projekt nga skualifikimi për dyshimet e falsifikimit të dokumenteve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një proces i nisur për dyshime mbi falsifikim dokumentesh në tenderët e ujësjellësit ka përfunduar me refuzim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. K.R.U. Prishtina pretendoi se një kompani kishte paraqitur staf fiktiv, përkatësisht një inxhinier. I njëjti, sipas ankesës, kishte deklaruar se nuk kishte nënshkruar, autorizuar apo dhënë leje për asnjë kompani tjetër, përveç partnerëve të tij të rregullt. Megjithatë, konzorciumi i operatorëve ekonomikë “Viante Konstruksion”, “Bonn Projekt” dhe “B&V Plus” shpëtoi nga Gjykata e Tenderëve pa asnjë ndëshkim.

Gazeta Insajderi

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Autoritetit Kontraktues, K.R.U. “Prishtina”, për diskualifikimin nga pjesëmarrja në prokurim publik të operatorit ekonomik “Bonn Projekt” Sh.p.k.

KRU Prishtina i ishte drejtuar OSHP-së me pretendimin se konzorciumi i operatorëve ekonomikë “Viante Konstruksion & Bonn Projekt & B&V Plus” kishte dorëzuar dëshmi me përmbajtje të rreme apo të falsifikuara në dy aktivitete prokurimi.

Dyshimet u ngritën lidhur me përfshirjen e inxhinierit të gjeodezisë, Milot Lubishtani, si pjesë e stafit në të dy aktivitetet.

Sipas KRU Prishtina, vetë inxhinieri kishte deklaruar se nuk kishte nënshkruar apo autorizuar përdorimin e dokumenteve të tij nga ky konzorcium, përveç një kompanie tjetër me të cilën kishte marrëveshje.

“Me datën 23.10.2025, AK–KRU Prishtina ka kërkuar sqarime nga inxhinieri i gjeodezisë M. Lubishtani lidhur me dëshmitë e dorëzuara (diplomën, kontratën, CV-në etj.) në ofertën e konzorciumit ‘Viante Konstruksion & Bonn Projekt & B&V Plus’. Me datë 24.10.2025, inxhinieri M. Lubishtani i ka dërguar AK–KRU Prishtina dy deklarata me shkrim për të dy aktivitetet e prokurimit, ku ka deklaruar se nuk ka nënshkruar, autorizuar dhe nuk i ka dhënë leje ndonjë kompanie tjetër, përveç ‘Arenaa Group Engineering & Teuta-M’, me të cilin ka marrëveshje”, thuhet në ankesë.

Mungesa e inxhinierit vendimtare

Përkundër deklaratave me shkrim që posedonte KRU Prishtina, Paneli Shqyrtues i OSHP-së vendosi se ky rast nuk mund të mbyllej pa një seancë dëgjimore.

Për këtë, inxhinierit iu dhanë dy mundësi për të dëshmuar.

OSHP caktoi seancën e parë më 18 shkurt 2026, por inxhinieri Milot Lubishtani njoftoi se nuk mund të paraqitej për shkak të angazhimeve.

Një seancë e dytë u caktua për datën 31 mars 2026, por sërish inxhinieri refuzoi pjesëmarrjen me të njëjtin arsyetim.

“OSHP, pas pranimit të njoftimit, anulon seancën e caktuar për këtë datë dhe cakton një seancë të re për datën 31.03.2026 në orën 13:30. Megjithatë, edhe për këtë seancë, inxhinieri z. Milot Lubishtani njofton OSHP-në se nuk do të jetë prezent për shkak të angazhimeve të tij”, thuhet aty.

Mungesa e inxhinierit doli të ishte vendimtare për fatin e kompanisë “Bonn Projekt”.

Në mungesë të dëshmisë së drejtpërdrejtë dhe verifikimit të plotë të pretendimeve, paneli shqyrtues arriti në përfundimin se nuk ekzistojnë kushte të mjaftueshme për të provuar shkeljet e pretenduara.

Si rrjedhojë, kërkesa e KRU Prishtina për marrjen e masave ndaj konzorciumit u refuzua në tërësi.

“PSH, i gjendur para kësaj situate dhe duke pasur parasysh se pjesëmarrja e inxhinierit z. Milot Lubishtani ishte thelbësore për shqyrtimin dhe aprovimin e kërkesës, në këtë rast vërtetimin e gjendjes faktike lidhur me pretendimet e AK-së në njërën anë dhe deklaratave të dhëna nga vetë inxhinieri në anën tjetër drejtuar Autoritetit Kontraktues, konstaton se nuk ekzistojnë kushte të mjaftueshme për të provuar kërkesën e parashtruar nga ana e AK-së. Rrjedhimisht, PSH e refuzon kërkesën e AK-së në rastin konkret, duke mos pasur mundësi reale që të vërtetohet një pretendim i ngritur nga ana e AK-së”.

Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime për vendimin e marrë nga Gjykata e Tenderëve, por nuk ka marrë përgjigje.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark