Avokati i Popullit, Naim Qelaj, prezantoi sot raportin preliminar mbi punën e Dhomave të Specializuara në Hagë, pas heshtjes së këtij institucioni ndaj shqetësimeve për proceset gjyqësore dhe kushtet e paraburgimit. Raporti është hartuar nga organizata e pavarur britanike, “Bar of Human Rights Committee”.
“Gjykata ka qëndruar e heshtur. Duke parë këtë mungesë transparence, kemi angazhuar një autoritet të pavarur për të kryer një vlerësim preliminar për shqetësimet. Përzgjedhjen e organizatës e kemi bërë duke marrë parasysh pavarësinë dhe integritetin profesional. Raporti është plotësisht i pavarur, s’kemi pasur asnjë ndërhyrje”, ka thënë Qelaj.
Ai në konferencë ka numëruar të gjitha gjetjet e raportit dhe shqetësimet e konfirmuara.
Si gjetje të parë, Qelaj ka përmendur kufizimin e të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, ku përfshihet mungesa e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimi i komunikimeve familjare dhe profesionale.
“Sa i përket paraburgimit dhe kufizimit të të drejtave gjatë qëndrimit në paraburgim, raporti evidenton shqetësime serioze për zgjatjen e paraburgimit, mungesën e mundësive reale për lirim të parakohshëm dhe kufizimin e komunikimeve familjare dhe profesionale me mbrojtjen”, ka thënë ai.