Insajderi
Lajme

MINT me rregulla të reja për produktet e qumështit: Konsumatori duhet ta dijë saktë se çfarë po blen

Insajderi
30 April 2026 - 17:46
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
MINT me rregulla të reja për produktet e qumështit: Konsumatori duhet ta dijë saktë se çfarë po blen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka lëshuar një njoftim zyrtar për të gjithë operatorët ekonomikë që merren me prodhimin, importin dhe shitjen e produkteve të qumështit, shkruan Insajderi.

Përmes kësaj rregulloreje të re, synohet mbrojtja e konsumatorit dhe eliminimi i praktikave mashtruese, duke kërkuar ndarje të qartë fizike nëpër markete mes produkteve me bazë shtazore, bimore dhe atyre me qumësht pluhur.

Komunikata e plotë e MINT:

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) i njofton të gjithë operatorët ekonomikë, që veprojnë në fushën e prodhimit, importit, distribuimit, si dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të produkteve të qumështit, se, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit, përkatësisht neni 9 dhe neni 16, si dhe Ligjin nr. 2004/ 18 për Tregtinë e Brendshme, përkatësisht neni 48, janë të obliguar të respektojnë këto kërkesa:

  1. Informimi i drejtë dhe etiketimi
    Në përputhje me dispozitat që rregullojnë informimin e drejtë dhe të saktë të konsumatorit, deklaracioni i produktit në gjuhët zyrtare, i vendosur në paketim, duhet të paraqesë në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe të dukshme përbërjen e produktit, duke specifikuar nëse produkti është:

Me bazë shtazore (100%) (dairy);

Me bazë bimore (plant-based milk);

Me bazë të qumështit pluhur.

  1. Ndarja fizike në rafte
    Në përputhje me rregullat për ushtrimin e tregtisë dhe prezantimin e mallrave në treg, subjektet që bëjnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte, sipas kategorive në vijim:

Produktet e qumështit me bazë shtazore (dairy);

Produktet me bazë bimore (plant-based milk);

Produktet me bazë të qumështit pluhur.

Mbikëqyrja dhe gjobat
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, do të intensifikojë aktivitetet e inspektimit në ditët në vijim, në përputhje me kompetencat ligjore për mbikëqyrjen e tregut, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe parandalimit të praktikave mashtruese.

Në rast të moszbatimit të legjislacionit në fuqi për ndarjen fizike dhe etiketimin e produkteve, operatorët ekonomikë do të ndëshkohen sipas dispozitave të ligjit në fuqi.

Thirrje për qytetarët
Njëkohësisht, ftohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që, në rast se vërejnë parregullsi, përfshirë mungesën e klasifikimit të produkteve apo mos deklarimin e qartë të përbërjes, të paraqesin ankesat e tyre së bashku me dëshmi përkatëse (p.sh. fotografi nga raftet), përmes:

Numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber)

Adresës elektronike: [email protected]

Për çdo parregullsi të konstatuar gjatë inspektimeve, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të ndërmarrë masa ndëshkuese në përputhje me legjislacionin në fuqi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark