Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka lëshuar akuza të rënda drejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për neglizhencë totale ndaj komunës së Gjilanit dhe shfrytëzim të figurave të saj publike vetëm për qëllime elektorale.
Përmes një postimi në Facebook, Haziri ka deklaruar se gjatë gjashtë viteve të fundit, Gjilani është përjashtuar nga projektet zhvillimore me një “lehtësi të padurueshme”.
Sipas tij, përveç mungesës së investimeve, Kurti ka goditur Gjilanin edhe duke i anashkaluar kuadrot e tij pas marrjes së pushtetit.
“Në gjashtë vitet e fundit, Gjilani është përjashtuar me lehtësi të padurueshme nga projektet zhvillimore nga ana e qeverisë Kurti. Por, përse u desh që t’i përjashtojë edhe kuadrot?!”, ka shkruar Haziri.
Haziri ka përmendur raste specifike të figurave të njohura nga Gjilani, të cilët sipas tij, u përdorën nga Kurti gjatë fushatave, por u braktisën sapo u siguruan votat.
“Fatmir Spahiun, ikonën e kinematografisë kosovare, e nominoi për ministër para zgjedhjeve, por pas zgjedhjeve e zgjodhi krejt dikë tjetër, pa asnjë sqarim, pa asnjë kërkimfalje. Njëjtë veproi edhe me Dr. Feride Rushitin. E nominoi për të mos u zgjedhur”, shtoi ai.
Haziri u shpreh se kjo është dëshmia më e madhe se si qeveria aktuale i shfrytëzon autoritetet dhe qytetarët e Gjilanit vetëm për tejkalim krizash dhe interesa partiake, pa dhënë asgjë në këmbim për zhvillimin e qytetit./Insajderi