Gjykata Themelore në Gjakovë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit O. B., i dyshuar për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.
O. B. të shtunën pasdite, në tarracën e një lokali në Gjakovë, dyshohet se ka tentuar ta vrasë A. D, shkruan Insajderi.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se më 2 maj 2026, rreth orës 14:25, në tarracën e lokalit “S.”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, i pandehuri fillimisht e ka sulmuar fizikisht viktimën duke e goditur me shqelm në gjoks. Më pas, teksa i dëmtuari ka tentuar të largohet, O. B. ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij, si dhe e ka goditur me kokë.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 2 maj 2026 rreth orës 14:25, në terasën e lokalit “S.” në Gjakovë, i pandehuri, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A. D. . Fillimisht i pandehuri O. B., e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me shqelm në gjoks, e më pas, pasi i dëmtuari u përpoq të largohej, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij, si dhe e ka goditur me kokë duke i shkaktuar lëndime. I dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes; policia ka sekuestruar armën dhe një thikë”, thuhet në njoftim.
“Me këtë vendim, i pandehurit O. B., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 2 maj 2026 deri më 1 qershor 2026. Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, përmbyllet njoftimi. /Insajderi.org/