Bashkim Shaqiri, zyrtar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ka qenë në mesin e pesë të arrestuarve pas aksionit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe Policisë së Kosovës në objektin e këtij institucioni.
Avokatja e Bashkim Shaqirit, Majlinda Sadikaj, ka thënë se klienti i saj është ndaluar për 48-orë dhe se besojnë në pafajësinë e tij.
“Klienti im, B.Sh., ndodhet në ndalim policor 48-orësh dhe procedura do të vazhdojë tutje deri në marrjen e vendimit të ardhshëm. Ne jemi të bindur në pafajësinë e klientit tim dhe besojmë se është vetëm çështje kohe derisa kjo të vërtetohet në procedurë”, ka deklaruar Sadikaj për Insajderin.
Siç bën të ditur prokuroria në njoftim, “sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B”.
“Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
“Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme”, vijon njoftimi. /Insajderi.org/