Martin Anstee, udhërrëfyes britanik i ekspeditave, ka folur publikisht pasi u evakuua nga anija turistike MV Hondius mes një shpërthimi të hantavirusit.
Martin Anstee, i cili u largua nga MV Hondius, i ka thënë Sky News se “është mirë”, por ende nuk e di sa kohë do të qëndrojë në spital, përcjell Insajderi.
“Jam mirë. Nuk po ndihem shumë keq. Ende duhet të bëhen shumë analiza. Nuk kam asnjë ide sa kohë do të qëndroj në spital. Aktualisht jam në izolim”, deklaroi 56-vjeçari.
Anstee shërbente si udhërrëfyes ekspeditash në anijen me regjistrim holandez. Ai u transportua me avion mjekësor këtë mëngjes, së bashku me dy persona të tjerë, raportoi Mirror.
Dy persona të tjerë, që u kthyen në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të pavarur nga anija turistike, janë udhëzuar gjithashtu të vetizolohen, sipas Agjencisë Britanike të Sigurisë Shëndetësore, e cila theksoi se “rreziku për publikun mbetet shumë i ulët”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i rasteve të konfirmuara me hantavirus ka arritur në pesë.
Rastet, të konfirmuara përmes analizave laboratorike, përfshijnë edhe dy pasagjerët që u evakuuan sot. Më herët ishin raportuar tre raste të konfirmuara dhe pesë të tjera të dyshuara, ndërsa janë regjistruar edhe tre viktima.
Numri total i rasteve është tetë dhe besohet të mbetet i pandryshuar, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e hantavirusit edhe në rastet që më parë konsideroheshin të dyshuara. /Insajderi.org/