Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në të cilën paraqiten dyshimet e këtij institucioni ndaj tre zyrtarëve policorë: Alfred Ismajli, Artan Shala dhe Bion Beqiri.
Sipas dosjes, për të tre ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Artan Shala dyshohet se ka keqpërdorur detyrën dhe tejkaluar kompetencat zyrtare duke bashkëpunuar me persona të tjerë për sigurimin e certifikatave të pronave publike, të cilat më pas dyshohet se përdoreshin nga Mihajlo Milovanoviç për falsifikim dokumentesh, me qëllim që pronat të paraqiteshin si të rregullta dhe të shiteshin për përfitime të kundërligjshme.
Sipas dosjes, Shala vepronte nën udhëzimet e Milovanoviçit. Më 29 maj 2024, Mihajlo e kishte pyetur: “A fole me qat djal me nxjerr ato”, ndërsa një ditë më vonë, më 30 maj 2024, Shala i ishte përgjigjur: “Kto letrat un i kom kur t’vish t’i dha”.
Më pas, përmes aplikacionit Viber, Artan Shala dyshohet se i kishte dërguar fotografi të kopjeve të certifikatave të pronësisë për një parcelë me sipërfaqe 10,233 m², një me sipërfaqe 14,391 m² dhe një tjetër me sipërfaqe 14,938 m², të gjitha në Fushë Kosovë dhe në pronësi të një biznesi.
Sipas Prokurorisë, këto dokumente ishin printuar nga A.G., ndërsa Shala dhe Milovanoviç dyshohet se kishin komunikime dhe takime të shpeshta edhe me zyrtarë të tjerë policorë të përfshirë në rast.
Me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Artan Shala dyshohet se më 30 maj 2024 ka keqpërdorur detyrën dhe autorizimet zyrtare duke bashkëpunuar me persona të tjerë për t’ia vënë në dispozicion Mihajlo Milovanoviç certifikatat e pronësisë së pronave shoqërore, të cilat dyshohet se i kishte siguruar në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas Prokurorisë, dokumentet janë përdorur më pas nga Milovanoviçi për tjetërsimin e pronave.
Me këtë dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”.
Alfred Ismajli dyshohet se, nga data 12 mars 2024 deri më 21 janar 2026, ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke bashkëpunuar me të dyshuarin Mihajlo Milovanoviç për t’i ndihmuar në tjetërsimin e parcelës kadastrale nr. 1662-0, me sipërfaqe 5,976 m², përmes dokumenteve të falsifikuara dhe bartjen e saj tek Zeljko Jagodiç.
Sipas dyshimeve, Ismajli, me udhëzime të Milovanoviçit, ishte interesuar edhe në Prokurori nëse kishte mbërritur ndonjë dokument nga Beogradi lidhur me rastin. Po ashtu, pasi Sami Qyqalla kishte raportuar rastin më 31 tetor 2025 në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, duke pretenduar se babai i tij e kishte blerë pronën që në vitin 1958, Ismajli dyshohet se ishte angazhuar brenda stacionit policor për ta ndihmuar Milovanoviçin dhe për ta informuar vazhdimisht për zhvillimet e rastit.
Ai dyshohet se kishte marrë pjesë edhe në intervistimin e dëshmitares V.M., ndonëse rasti tashmë ishte në sektorin e hetimeve ku ai nuk kishte kompetencë. Më pas, sipas dosjes, Ismajli e kishte njoftuar Milovanoviçin për rrjedhën e intervistimit, ndërsa ky i fundit qëndronte pranë stacionit policor për t’u informuar në kohë reale.
Në një komunikim tjetër, Milovanoviç dyshohet se i kishte kërkuar Ismajlit që gjatë intervistimit të kërkonte nga Qyqalla të tërhiqte ankesën në Kadastër dhe padinë në Gjykatë. Gjithashtu, Ismajli dyshohet se i kishte dërguar Milovanoviçit raportin e hetuesit Bion Beqiri, në mënyrë që ai të shihte veprimet e ndërmarra në rast, ndërsa ky i fundit i ishte përgjigjur: “E lexova dhe mirë e ke shkruar”.
Ismajli dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Shkelja e fshehtësisë së procedures”.
Ismajli dhe Bion Beqiri dyshohen se më 8 nëntor 2025, nga ora 15:10 deri në 16:35, në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë intervistimit të dëshmitares V.M., e cila ishte zyrtare e kadastrit në Komunën e Prishtinës.
Sipas dyshimeve, ata i kanë bërë presion të vazhdueshëm dëshmitares që të vepronte në kundërshtim me detyrën e saj zyrtare, duke kërkuar që të fshinte vërejtjen e regjistruar në parcelën kadastrale nr. 1662-0, me sipërfaqe 5,976 m², vërejtje kjo e vendosur për shkak të një procedure paraprake në Gjykatë.
Dosja thotë se zyrtarët policorë i kanë kërkuar asaj të shkonte në punë, ta fshinte vërejtjen dhe më pas të sillte certifikatën e pronësisë, në mënyrë që prona të regjistrohej si trashëgimi në emër të Zeljko Jagodiç.
Sipas Prokurorisë, Alfred Ismajli kishte vepruar nën udhëzimet e të dyshuarit Mihajlo Milovanoviç, me qëllim që ky i fundit ta shiste pronën dhe të përfitonte kundërligjshëm, pasi dokumentet e pronës dyshohet se ishin falsifikuar më herët dhe prona ishte tentuar të bartet tek Zeljko Jagodiç.
Me çka Ismajli dyshohet se kryer veprën penale “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.