Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar sot se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale V.N., për shkak të dyshimit të bazuar për veprën penale “Mashtrimi”.
Insajderi ka mësuar se bëhet fjalë për 34-vjeçarin, Valdrin Neziri.
Por, çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?
Neziri dyshohet se në bashkëpunim me dy persona të tjerë, krijuan një skemë komplekse mashtrimi duke përdorur lokale me qira dhe dollapë të modifikuar për t’ua marrë paratë qytetarëve që besonin se po blinin kriptovaluta të llojit USDT.
Në dosjen që ka parë Insajderi, thuhet se Neziri, bashkë me Artan Limanin dhe Redon Jahijën, kishin përgatitur një plan të detajuar për përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Sipas dokumenteve të Prokurorisë, të dyshuarit kishin marrë një lokal me qira në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. Për t’i vënë në lajthim viktimat (E.F., A.F. dhe Rr.K.) se po kryenin një transaksion legjitim, ata kishin përdorur emra të rremë si “Arbër” dhe “Burim”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 Prill 2026, rreth orës 19:00, në Ferizaj, rruga ‘Cen Dugolli’, i pandehuri me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurit Artan Limani dhe Redon Jahija, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (Arbër dhe Burim), i vënë në lajthim të dëmtuarit… duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital ‘wallet‘”, thuhet në dosje.
Më tej, Prokuroria sqaron metodën e pazakontë të vjedhjes, duke detajuar se si paratë ishin vendosur në një dollap të modifikuar brenda lokalit, me qëllim që të vidheshin përmes vrimës së hapur paraprakisht.
“Ashtu që për realizimin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro. Të hollat, sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbër dhe i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin paratë pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur“.
Ndërsa Limani dhe Jahija u kapën në flagrancë gjatë një tentative të dytë për të përsëritur skemën në Kaçanik, Valdrin Neziri kishte arritur të arratisej nga vendi i ngjarjes.
Prokuroria saktëson se gjatë kohës sa ishte në kërkim, Neziri ishte fshehur në Maqedoninë e Veriut, duke mbajtur kontakte me familjarët, por u arrestua vetëm pas një jave kur u kthye në Kosovë.
Dosja zbulon se kjo nuk ishte hera e parë apo e vetme. Pas publikimit të rastit në media, janë paraqitur edhe persona të tjerë që pretendojnë se janë mashtruar me skemën e quajtur “Agim Prodani”.
Një tjetër qytetari në rrugën “18 Qershor” në Ferizaj, dyshohet se i janë marrë 2,000 euro në gusht të vitit 2024 përmes të njëjtës metodë.
Prokurori i Shtetit, Egzon Jakupi, ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm, pasi ekziston rreziku i lartë i përsëritjes së veprës penale dhe ndikimit në dëshmitarë, duke pasur parasysh natyrën e organizuar dhe të planifikuar mirë të këtij grupi kriminal.
I pandehuri Valdrin Neziri, që nga data 07 Maj 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48-orësh.