Në një atmosferë elektrizuese në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, KB Trepça ka shënuar fitore të madhe ndaj KB Bashkimi me rezultat 80:84, për të krijuar epërsinë 3-0 në serinë finale të “Playoff”-it të Superligës së Kosovës në basketboll.
Finalja e tretë dhuroi spektakël dhe dramë deri në sekondat e fundit. Mitrovicasit e mbyllën pjesën e parë me dhjetë pikë epërsi, duke kontrolluar ritmin e lojës, por vendasit reaguan fuqishëm në pjesën e dytë dhe arritën të përmbysin rezultatin në çerekun e fundit.
Megjithatë, në momentet vendimtare, Trepça tregoi qetësi dhe përvojë, duke u rikthyer në avantazh dhe duke e mbyllur sfidën me fitore të rëndësishme në Prizren.
Te skuadra fituese u dalluan Kenneth Hasbrouck me 22 pikë, ndërsa Dardan Kapiti kontribuoi me 14 pikë dhe 9 kërcime. Në anën tjetër, për Bashkimin më efikasit ishin Shannon Shorter me 25 pikë e 5 kërcime, si dhe Jalen Riley me 22 pikë.