Të dielën në mesnatë përfundoi periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Brenda 12 ditëve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar 142,803 aplikime. Pjesa më e madhe e tyre janë aprovuar, ndërsa votuesit e regjistruar do të duhet të presin afatet për të ushtruar të drejtën e tyre të votës, sipas mënyrës që kanë zgjedhur gjatë regjistrimit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka dhënë detaje mbi përfundimin e regjistrimit dhe të dhënat preliminare nga ky proces:
“Në bazë të të dhënave preliminare, nga fillimi i procesit më 6 maj dhe deri më 17 maj 2026, përmes platformës elektronike janë pranuar 142,803 kërkesa për regjistrim. Nga këto, 109,696 janë aprovuar, 7,325 janë refuzuar dhe 25,702 janë ende në pritje për shqyrtim,” tha Elezi.
Mënyra më e përzgjedhur e votimit ka rezultuar të jetë ajo përmes postës.
“Nga 109,696 aplikime të aprovuara, 81,901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim jashtë Kosovës, 2,855 për të dërguar pakon me fletëvotim brenda Kosovës, dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike,” shtoi Elezi.
Kur do të votohet?
Sipas Zëdhënësit të KQZ-së, votimi jashtë vendit zhvillohet më herët.
“Së pari, planifikohet që votimi përmes postës të fillojë më 25 maj dhe të përfundojë më 6 qershor, ndërkaq, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor”, tha Elezi.
Votimi me postë dhe votimi në përfaqësi diplomatike
Më tej, Elezi ka shpjeguar se “për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare, ndërsa për votimin fizik në përfaqësi diplomatike KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet votimi.
“Për votimin me postë, janë funksionalizuar kutitë postare në 23 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Kosovën, dhe adresat e tyre do të bëhen publike gjatë kësaj jave. Kurse, për votimin fizik në përfaqësi diplomatike, KQZ do të saktësojë numrin e ambasadave dhe konsullatave në të cilat do të organizohet ky lloj votimi. Sipas vendimit fillestar, procesi i votimit planifikohej të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime, prej të cilave 33 ambasada dhe 15 konsullata. Megjithatë, pasi në periudhën e regjistrimit ka një numër përfaqësish që kanë më pak se 50 votues të regjistruar, KQZ do ta rishikojë listën e përfaqësive diplomatike në të cilat do të organizohet votimi më 6 qershor”, njoftoi Elezi.