Insajderi
Lajme

Tenderi 3 milionësh në Mitrovicë: Dyshime për konflikt interesi mes fituesit dhe anëtarit të OShP-së që vendosi për ankesën e mikut

Insajderi
20 May 2026 - 17:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Tenderi 3 milionësh në Mitrovicë: Dyshime për konflikt interesi mes fituesit dhe anëtarit të OShP-së që vendosi për ankesën e mikut
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tenderi për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Tërstenë, Kutllovc dhe Vllahi, me vlerë rreth 3 milionë euro, i shpallur nga qeverisja komunale e Bedri Hamzës vetëm një javë para rundit të parë të zgjedhjeve lokale, ka ngritur dyshime për konflikt interesi në procesin e prokurimit.

Edhe pas ndryshimit të pushtetit lokal dhe ardhjes së administratës së re të udhëhequr nga Faton Peci, procedura nuk është ndalur, pasi komuna ka shpallur fitues grupin e operatorëve ekonomik Dio Bes Sh.P.K. & Eurokos Holding.

Ky grup është shpallur fitues më 30 prill 2026 me ofertë prej 3 milionë e 88 mijë eurosh, ndërsa autoriteti kontraktues ka eliminuar dy grupe operatorësh ekonomikë që kishin ofertuar me çmime më të ulëta, duke i konsideruar ofertat e tyre si të papërgjegjshme. Në të njëjtën kohë, janë ngritur pretendime se në këtë proces mund të ketë pasur konflikt interesi, për shkak të lidhjeve të pretenduara mes fituesit të tenderit dhe një anëtari të OShP-së që ka vendosur për ankesën në këtë rast.

Veriu.info ka siguruar një shkresë të drejtuar kryetarit të Mitrovicës nga kompania ofertuese “Quality Asphalt” Sh.P.K. më datë 21 prill 2026, 9 ditë para shpalljes së fituesit, përmes të cilës thuhet se ekzistojnë dyshime të bazuara se ky proces i prokurimit ndodhet në konflikt të pastër interesi, pasi që ekziston dyshimi i bazuar se grupi i operatorëve ekonomikë Dio Bes & Eurokos Holding kanë lidhje familjare të drejtpërdrejta me anëtarin e Panelit Shqyrtues në OShP, Vedat Poterqoi, sepse bashkëshortja e tij dyshohet se është në lidhje të afërt familjare me pronarin e kompanisë Eurokos Holding, Ylber Shamolli.

Tutje, “Quality Asphalt” Sh.P.K., në shkresën drejtuar kryetarit Faton Peci, thotë se ky tender i shpallur përmes një memorandumi bashkëpunimi mes Komunës së Mitrovicës, që udhëhiqej nga Bedri Hamza, dhe Ministrisë së Infrastrukturës, që udhëhiqej nga Hysen Durmishi, është kontaminuar edhe nga ndikimet politike që vijnë për shkak të lidhjeve të vjetra afariste dhe nepotike nga Dio Bes, pasi që pronari i saj, Xhelal Shabani, është vëllai i Bujar Shabanit të Bageri Company, te e cila kompani kishte punuar Hysen Durmishi.

Në përfundim të kësaj shkrese njoftuese, kryetarit Faton Peci i kërkohet të monitorojë Komisionin për Rivlerësim, ta trajtojë njoftimin mbi konfliktin e interesit përpara se ky proces të përfundojë dhe të kërkojë nga zyrtarët vartës të zbatojnë në plotëni parimin e efikasitetit.

Përkundër këtij njoftimi, nëntë (9) ditë më pas, Komuna e Mitrovicës, që udhëhiqet nga Faton Peci, përmes zyrtarit përgjegjës të prokurimit, Kushtrim Mehaj, ka shpallur fitues grupin e operatorëve Dio Bes Sh.P.K. & Eurokos Holding Sh.P.K.

Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga kryetari Faton Peci në lidhje me trajtimin eventual të kësaj shkrese që mban datë 21 prill 2026, por edhe pas shtatë (7) pritje nuk kemi marrë përgjigje në pyetjet e dërguara.

Roli i Vedat Poterqoit dhe lidhjet me Eurokos Holding

Pas sigurimit të shkresës së “Quality Asphalt” Sh.P.K. drejtuar kryetarit Faton Peci, Veriu.info ka hulumtuar rolin e anëtarit të Panelit Shqyrtues në OShP, Vedat Poterqoi, dhe lidhjet e tij eventuale me pronarin e kompanisë Eurokos Holding, Ylber Shamolli.

Veriu.info ka gjetur se Vedat Poterqoi ka marrë pjesë në Panelin Shqyrtues për vendosjen mbi ankesën e Dio Bes Sh.P.K., që në këtë procedurë është si grup i operatorëve ekonomikë me Eurokos Holding, me ç’rast ky panel ka nxjerrë vendim për aprovimin e ankesës, duke urdhëruar Komunën e Mitrovicës që ta anulojë njoftimin për anulim të këtij aktiviteti të prokurimit të shpallur në bazë të memorandumit për bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës (DOKUMENT).

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se gruaja e Vedat Poterqoit, anëtarit të OShP-së që ka marrë pjesë në panel për nxjerrjen e vendimit është vajza e axhës së Ylber Shamollit, pronarit të Eurokos Holding, të cilës lidhje, në ankesën e drejtuar kryetarit Faton Peci, “Quality Asphalt” Sh.P.K. i referohet si konflikt i pastër interesi.

Foto: Vedat Poterqoi me bashkëshorten – familjaren e Ylber Shamollit të Eurokos Holding
Foto: Ylber Shamolli – pronar i Eurokos Holding

Tenderi për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Bajgorë, Rashan, Tërstenë, Kutllovc dhe Vllahi, që është fituar nga Dio Bes Sh.P.K. dhe Eurokos Holding Sh.P.K., është një projekt që bashkëfinancohet nga Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Infrastrukturës, në krye të së cilës në momentin e shpalljes ishte Hysen Durmishi, shoku dhe ish-punëtori i vëllait të fituesit të tenderit.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark