Basketbollisti i Trepçës, Dardan Kapiti, është shpallur MVP i finaleve kundër Bashkimit.
Pas super paraqitjeve të treguara gjatë gjithë sezonit, e veçanërisht në fazën e play-offit, Dardan Kapiti me plot meritë ka rrëmbyer çmimin e më të mirit.
Kapiti ka dëshmuar se në dy sezonet e fundit ka qenë një lojtar kyç dhe shumë i rëndësishëm për mitrovicasit, e sidomos për trajnerin Beçiragiç, i cili ka qenë faktor i madh në përmirësimin e tij gjatë këtij sezoni.
Reprezentuesi kosovar mposhti edhe kolegun e tij, Drilon Hajrizi, i cili mbetet njëri nga lojtarët më të mirë të basketbollit tonë.
Ndryshe, Trepça është shpallur kampione e Kosovës në Basketboll për sezonin 2025/’26.
Ky është titulli i tretë radhazi për skuadrën mitrovicase dhe i shtati në histori të klubit në elitën e basketbollit kosovar, raporton Klankosova.tv.
Xehetarët u shpallën kampionë pasi mposhtën Bashkimin e Prizrenit 4:0 në serinë finale të play-offit.
Trepça shënoi fitore edhe në ndeshjen e katërt që u zhvillua në “Sezai Surroi”, duke e dominuar takimin që nga fillimi.