Mesfushori argjentinas Enzo Fernandez dëshiron të largohet nga Chelsea gjatë kësaj vere, ndërsa raportimet e fundit tregojnë se ai ka nisur kontaktet me Real Madridin për një transferim të mundshëm.
Pas një sezoni zhgënjyes, ku Chelsea e mbylli Premier League vetëm në vendin e 10-të dhe mbeti jashtë garave evropiane, Fernandez po e shqyrton seriozisht mundësinë e largimit nga “Stamford Bridge”.
Edhe pse drejtuesit e klubit londinez nuk dëshirojnë të humbasin një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, ata kanë vendosur një çmim prej rreth 140 milionë eurosh për kartonin e tij.
Sipas mediave britanike, Fernandez ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës dhe duket i vendosur të nisë një aventurë të re. Madje, pas ndeshjes së fundit të sezonit, shumë tifozë interpretuan gjestet e tij si një lamtumirë ndaj Chelseat.
Raportohet se agjenti i lojtarit, Javier Pastore, ka kontaktuar tashmë drejtuesit e Real Madridit për të diskutuar mundësinë e transferimit.
Klubi madrilen po analizon opsionet për përforcimin e repartit të mesfushës dhe Enzo Fernandez konsiderohet profili ideal falë cilësive, eksperiencës dhe aftësisë së tij për të kontrolluar lojën.
Fernandez ka një CV të pasur pavarësisht moshës së re. Me Argjentinën ai ka fituar Kupën e Botës 2022 dhe Copa America 2024, ndërsa në nivel klubesh ka triumfuar edhe në Conference League dhe Kupën e Botës për Klube me Chelsean.
Gjatë sezonit të fundit, mesfushori argjentinas zhvilloi 54 ndeshje, duke realizuar 15 gola dhe 7 asistime.
Tashmë mbetet të shihet nëse Real Madridi do të jetë i gatshëm të paguajë shumën e kërkuar nga Chelsea për transferimin e yllit argjentinas.