Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alisa Jetullahu, ka reaguar ndaj ndihmave financiare që po ndahen në prag të zgjedhjeve, duke thënë se të rinjtë nuk kanë nevojë vetëm për pagesa momentale, por për politika të qëndrueshme dhe perspektivë reale për të ardhmen.
Përmes një postimi publik, Jetullahu tha se çdo mbështetje për qytetarët është e mirëseardhur, por shtoi se problemi lind kur ndihma përdoret si mjet elektoral për ndikim në vota.
“Studentët sot nuk kanë nevojë vetëm për një pagesë momentale. Kanë nevojë për universitete më cilësore, bursa të qëndrueshme, vende pune, mundësi reale dhe siguri që e ardhmja e tyre nuk lidhet me një vendim që merret vetëm pak javë para zgjedhjeve”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, një shtet serioz nuk kujtohet për të rinjtë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, por ndërton politika që i mbajnë ata në vend çdo ditë.
Jetullahu theksoi se rinia nuk blihet me 100 euro, por meriton dinjitet, perspektivë dhe një plan të vërtetë për të ardhmen.