Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Qëndrim Kryeziu, i cili mban numrin 103 në listën zgjedhore, ka goditur ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti lidhur me zbatimin e rregullores për ndalimin e dinarit serb në Kosovë.
Përmes një reagimi me tone të forta ironizuese, Kryeziu ka pretenduar se valuta serbe vazhdon të qarkullojë lirshëm në disa prej zonave me shumicë serbe në rrethinën e Prishtinës, duke përmendur Llapnasellën, Çagllavicën dhe Graçanicën.
“Në Llapnasellë, Çagllavicë dhe Graçanicë, dinari po shkon ujë-ujë”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka hedhur thumba të drejtpërdrejtë ndaj Kurtit, duke thënë se ka gati medikamente për të nëse i shfaqen shqetësime shëndetësore nga kjo situatë në terren.
“Nëse dini kah është Albini, më tregoni, t’ia dërgoj paracetamolat, se mos po i bëhet migrena derisa t’i shkojnë me postë”, ka shtuar ai.