Shëndeti mendor po merr një vëmendje të veçantë në programin elektoral të Lidhjes Demokratike e Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit. Ajo që nisi si një iniciativë lokale rinore, tashmë po synohet të shndërrohet në një projekt kombëtar e institucional.
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së, Paris Guri, ka bërë të ditur se linja telefonike për ndihmë psikologjike do të jetë pjesë e programit zyrtar të partisë.
Ai ka kujtuar fillesat e këtij projekti, i cili u jetësua fillimisht në komunën e Istogut me mbështetjen e udhëheqjes lokale.
Përmes një deklarate, Guri ka theksuar rëndësinë e kalimit të këtij shërbimi në nivelin institucional për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë nevojë.
“Si forum i rinisë e kemi themeluar me ndihmën e kryetarit Ilir Ferati linjën e shëndetit mendor në Istog, kësaj here është premtim elektoral i LDK-së. Linja telefonike për ndihmë psikologjike do të shndërrohet në linjë institucionale. Po bëhet realitet”, ka deklaruar Guri.
Paris Guri në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit garon në listën e LDK-së (113) ku mban numrin 110.