Gazeta Insajderi ka siguruar pamje nga brenda objektit në Obiliq, ku dyshohet se ofroheshin shërbime shëndetësore pa licencën përkatëse nga institucionet kompetente.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 30 maj 2026, rreth orës 14:00, nën dyshimet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe prodhim e shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore.
Policia njofton se në njërën nga dhomat e objektit dyshohet se janë ofruar shërbime mjekësore pa leje adekuate nga Ministria e Shëndetësisë. Pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë inspektorët farmaceutikë dhe shëndetësorë, të cilët në prezencë të policisë kanë vendosur vulën zyrtare për ndalimin e veprimtarisë.
Lidhur me rastin janë intervistuar dy persona, një mashkull dhe një femër, në cilësinë e të dyshuarve. Me vendim të prokurorit, pas inicimit të rastit, ata janë liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë kontrollit të objektit, autoritetet kanë gjetur edhe pjesë të vjetruara të uniformës së Policisë së Kosovës në një hapësirë tjetër të ndërtesës.





