Insajderi
Lajme

Ramadani zotohet: Nuk do të konfiskohet më patentë-shoferi pa vendim gjykate

Insajderi
31 May 2026 - 13:11
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ramadani zotohet: Nuk do të konfiskohet më patentë-shoferi pa vendim gjykate
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kandidati për deputet i Aleancës, Burim Ramadani, ka bërë një zotim të ri elektoral përmes një videomesazhi publik, duke premtuar ndryshime në mënyrën e trajtimit të kundërvajtjeve në komunikacion.

Sipas tij, praktika aktuale e konfiskimit të patentë-shoferëve nga Policia e Kosovës për një periudhë prej të paktën tre muajsh, pa vendim gjykate, është e padrejtë dhe diskriminuese.

“Nuk do të konfiskohet më patentë-shoferi pa vendim gjykate. Ky është premtimi ynë dhe do ta realizojmë,” deklaroi Ramadani.

Ai e krahasoi trajtimin e qytetarëve të Kosovës me shtetas të tjerë, duke pretenduar se masa të tilla zbatohen vetëm ndaj qytetarëve kosovarë dhe jo ndaj të huajve në raste të ngjashme.

“Je qytetar i Kosovës, Policia ta konfiskon patentë-shoferin. Je shtetas i Serbisë, Policia e Kosovës nuk ta konfiskon. A është kjo e drejtë?”, u shpreh ai.

Sipas Ramadanit, kjo praktikë përbën barrë shtesë edhe për vetë policinë në terren, duke theksuar se ndryshimi i saj do ta lehtësonte punën e zyrtarëve policorë dhe do ta kthente procesin në një sistem më të drejtë dhe më institucional.

“Ky nuk është problem i Policisë, por i politikës. Qeveria duhet të kujdeset për qytetarët, jo t’i ndëshkojë me masa të padrejta,” tha ai.

Ramadani e përmbylli deklaratën e tij duke theksuar se ky është një zotim që do të realizohet nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës merr përgjegjësi qeverisëse, nën programin “Siguri, Energji, Zhvillim”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark