Rruga “Hyrije Hana” nuk është thjesht një adresë, por simbol i forcës dhe sakrificës së një gruaje që nuk u dorëzua kurrë pavarësisht përjetimeve të saj.
Edona Curri
Në pjesën perëndimore të Prishtinës, pranë kompleksit “Central Park” dhe aksit rrugor “Lidhja e Pejës”, ndodhet një rrugë me një emër që për shumë kalimtarë mund të duket vetëm si tabelë orientuese. Mirëpo ajo është kujtesë për një grua që luftoi fashizmin që prej moshës 14-vjeçare, një sistem politik autoritar që i kufizon liritë dhe që përqendron pushtetin tek një lider apo grup i vogël, për një aktore që regjimi e largoi nga skena, për një patriote që kaloi burgje e tortura pa e ulur kokën, dhe për një artiste që nga një makinë qepëse krijoi kulturë.

Premiera që iu zëvendësua me burg
Hyrije Hana lindi më 10 mars 1929 në Gjakovë. Ajo u rrit në një familje atdhetare, ku ndikim të veçantë pati dhe vëllai i saj, Xheladin Hana, ishte një ndër figurat më të njohura intelektuale dhe patriotike të kohës. Qysh në moshë të re, Hyrija tregoi forcë dhe guxim. Shoqja e saj, Safete Rogova, e përshkruante si një grua me karakter të fortë, guximtare dhe këmbëngulëse. Sipas saj, Hyrija kishte dëshirë të mbante shalla rreth qafës dhe luante me to si simbol elegance dhe force. Mirëpo, pas buzëqeshjes së saj fshihej një jetë e mbushur me tragjedi.

Hyrije Hana bashkë me shoqen e saj Safete Rogova
Pas vrasjes së vëllait të saj, Xheladin Hanës, nga sherbimi sekret dhe organi I sigurimit shtetëror i I ish-Jugosllavisë, Hyrija së bashku me nënën e saj u detyrua ta varroste trupin e tij. Ajo ditë shënoi fillimin e një periudhe të vështirë për familjen Hana. Në një kohë kur gratë shqiptare mezi dilnin në publik, Hyrije Hana u bë ndër aktoret e para shqiptare në Kosovë dhe një nga zërat e parë femërorë në Radio Prizren dhe Radio Prishtina. Ajo përgatitej për role teatrore dhe ëndërronte skenën, por në prag të premierës së saj u arrestua nga policia. Edhe kur shkoi në Shkup me shpresën për ta vazhduar artin, u rikthye në Mitrovicë dhe u arrestua sërish. Për Hyrije Hanën, arti dhe burgu ecën bashkë gjatë gjithë jetës së saj.
Mes grilave dhe torturave
Jeta e Hyrijes u kthye në një varg arrestimesh, hetimesh dhe torturash. E burgosur më 1959 dhe e mbajtur 2 vite aty pa asnjë aktgjykim. Më 27 prill 1961, ajo u dënua me pesë vite burg të rëndë në Burgun e Grave në Pozharevc, ku qëndroi deri më 1966. Së treti prap dënohet nga Gjykata për kundervajtje në Gjakovë me një muaj burgim.
Ajo bashkëpunonte me shumë veprimtarë atdhetarë të kohës, ndërsa dosjet e saj mbusheshin me akuza politike pa prova konkrete. Hetuesit përpiqeshin ta thyenin psikologjikisht, por Hyrija nuk pranoi asgjë dhe nuk përmendi askënd. Pas daljes nga burgu, mbeti pa punë dhe pa strehim. Shoqja e saj Fatimja tregon që në ato ditë të vështira, Katarina Josipi dhe Bije Vokshi fshehurazi i dhuruan një makinë qepëse. Prej asaj kohe, Hyrija nisi të krijonte kukulla me veshje tradicionale shqiptare të cilat janë të punuara me mjeshtëri të jashtëzakonshme.


(Fotografi të marra nga dokumentari në Youtube për Hyrije Hanën)
Oborri i mbushur me trëndafila

Libri ‘KUJTIME’ (automonografi)
Një shtëpi e zhdukur dhe një varr pa emër
Sot, shtëpia e saj e vajzërisë në lagjen Pejton nuk ekziston më ajo është shëndrruar në parking. Ndërsa në varrezat e Dragodanit diku në skaje, prehen së bashku me familjarë të saj ku nuk janë të shënuar as emrat e tyre.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, emri i saj u zgjodh sepse ajo ishte ndër aktoret dhe prezantueset e para shqiptare që theu tabutë e kohës dhe u bë frymëzim për brezat e rinj.
Ata theksojnë se përmes këtij emri synojnë t’u kujtojnë të rinjve se vlerat, arti dhe sakrifica mbeten të pavdekshme edhe kur njeriu nuk jeton më fizikisht.

(Fotografia e saj në kinema)
Duke i hedhur në letër kujtimet e saj, Hyrije Hana la pas më shumë se një automonografi. Ajo na la një dëshmi historike për një periudhë të vështirë dhe një mesazh të qartë se e vërteta duhet të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi. Pikërisht për këtë arsye, emri dhe veprimtaria e saj vazhdojnë të jetojnë dhe sot.
Duke i hedhur në letër kujtimet e saj, Hyrije Hana la pas më shumë se një automonografi. Ajo na la një dëshmi historike për një periudhë të vështirë dhe një mesazh të qartë se e vërteta duhet të ruhet dhe të përcillet brez pas brezi. Pikërisht për këtë arsye, emri dhe veprimtaria e saj vazhdojnë të jetojnë dhe sot.
Shënim: Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë në UP. Teksti është shkruar në kuadër të lëndës “Zhanret e gazetarisë”.