Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Oltion Ahmeti, ka falënderuar Ish-presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas një deklarate të saj publike ku ajo vlerësoi kontributin e tij në fushatat politike ndër vite.
Në një video-adresim, Osmani kishte theksuar se Ahmeti ka qenë i angazhuar që në moshë të re në mbështetje të proceseve zgjedhore dhe se tani është koha që edhe ai të marrë besimin e qytetarëve.
“Olti ka qenë krejt i vogël kur ka fillu me na ndihmu neve në fushata, e tash që Olti është rrit i madh duhet edhe ne me i ndihmu që Olti me marrë besimin e qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, ashtu siç na ka ndihmuar ai neve në çdo fushatë që ta marrim besimin që na duhej”, është shprehur Osmani.
Pas kësaj deklarate, Oltion Ahmeti ka reaguar duke falënderuar Presidenten për fjalët e mira dhe mbështetjen e dhënë.
“Faleminderit Presidente për respektin, mbështetjen dhe fjalët e mira. Këto fjalë janë motiv shtesë për të vazhduar me përgjegjësi, ndershmëri dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Ahmeti ka bërë thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Më 7 Qershor, me besim, vendosmëri dhe vizion për të ardhmen: Voto 113 – LDK, Voto 1 – Vjosa Osmani, Voto 2 – Lumir Abdixhiku, Voto 96 – Oltion Ahmeti”, ka deklaruar ai, duke përmbyllur mesazhin me sloganin “Bashkë për Kosovën që duam. Për punë, dinjitet dhe zhvillim”.