Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Visar Korenica, ka adresuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale.
Korenica pretendon se mbi 900 persona janë punësuar në KEK dhe se këto punësime, sipas tij, kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet zgjedhore në disa komuna.
“E këto tash s’munden me i përmend me emra, janë mbi 900 të punësum në KEK, ku Albin Kurti ua shpërndan vet kartelat. Shikoni. Këto punësime kanë ndikuar direkt në zgjedhjen e sekserëve të tij në krye të komunave, Halil Thaçit në Obiliq dhe Valon Prebrezës në Fushë Kosovë”, deklaroi Korenica.
Ai shtoi se, sipas pretendimeve të tij, komunat janë kapur përmes punësimit të familjarëve dhe militantëve partiakë.
“Pra kapja e komunave përmes punësimit të familjarëve dhe militantëve partiakë. Dhe kjo nuk është e tëra. Me qindra konkurse janë hapur në kohë fushate për t’i rehatuar familjarët dhe militantët e vet”, u shpreh ai.
Më tej, kandidati i PDK-së pretendoi se gjatë periudhës zgjedhore janë hapur dhjetëra e qindra pozita në institucione të ndryshme publike, duke përmendur 175 gradime në polici, 80 pozita në Administratën Tatimore të Kosovës, 74 pozita në sektorin e arsimit dhe 50 pozita në Shërbimin Korrektues të Kosovës.
“Në pothuajse çdo ministri e në çdo institucion publik. E kur ju thonë shtet për krejt, dijeni që e ka pushtet për vete”, deklaroi Korenica.