Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka pranuar se është i shqetësuar për mundësinë që një nga lojtarët e tij kryesorë të humbasë Kupën e Botës 2026, pasi u largua i dëmtuar gjatë fitores 2-1 ndaj Egjiptit të shtunën.
“Seleção” arriti të sigurojë fitoren në stadiumin “FirstEnergy Stadium” në Cleveland falë golave të Bruno Guimarães dhe Endrick, të shënuar përkatësisht para dhe pas pushimit mes pjesëve.
Për Egjiptin barazoi përkohësisht Mostafa Ziko në minutën e 11-të, ndërsa Mohamed Salah nuk ishte pjesë e skuadrës për këtë ndeshje.
Megjithatë, momenti që shkaktoi më shumë shqetësim në kampin brazilian erdhi vetëm 15 minuta pas nisjes së takimit, kur mbrojtësi i djathtë Wesley França u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi, duke çaluar dukshëm.
Ylli i Romës, i transferuar nga Flamengo verën e kaluar, konsiderohet zgjedhja e parë e Brazilit në krahun e djathtë të mbrojtjes, përpara ish-mbrojtësit të Manchester Cityt, Danilo.
Pamjet e ndeshjes e treguan 23-vjeçarin duke u larguar me lot në sy, ndërsa më pas u pa i gjunjëzuar pranë vijës anësore me kokën në duar. Edhe pas përfundimit të takimit, Wesley u filmua duke çaluar teksa largohej nga stadiumi.
Pas ndeshjes, Ancelotti konfirmoi se lojtari ka pësuar një “problem muskulor” dhe se do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore.
Edhe pse tekniku italian, i cili mori drejtimin e Brazilit vitin e kaluar pas largimit nga Real Madridi, shpreson që Wesley të rikuperohet në kohë për Kupën e Botës, ai e cilësoi situatën si urgjente.
“Ai duhet t’i nënshtrohet disa testeve. Ka një problem muskulor dhe duhet të presim diagnozën nesër”, deklaroi Ancelotti para gazetarëve.
“Mendoj se do të ketë kohë të rikuperohet dhe të jetë me ne në Kupën e Botës. Përndryshe, do të duhet të zgjedhim një lojtar tjetër dhe do të kemi kohë për ta bërë këtë. Situata është urgjente dhe na shqetëson.”
Kur u pyet për rëndësinë e Wesleyt në skuadër, Ancelotti theksoi:
“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Luan në nivelin e tij më të mirë, me forcë dhe energji.
Ka përmirësuar ndjeshëm aspektet ku më parë kishte mangësi, si faza sulmuese dhe mbulimi në mbrojtje, falë eksperiencës që po fiton në Itali.
Shpresoj që të mos jetë asgjë serioze, që të marrë trajtimin e nevojshëm dhe të vazhdojë këtë rrugëtim me ne. Por nuk e mohoj se ka urgjencë dhe shqetësim; nëse rezulton diçka serioze, do të ishte vërtet për të ardhur keq.”
Sipas gazetarit brazilian Diogo Dantas, dëmtimi i Wesleyt pritet ta mbajë jashtë të paktën për ndeshjen e parë të Brazilit në fazën e grupeve kundër Marokut, edhe pse diagnoza përfundimtare ende nuk është konfirmuar.
Brazili është shortuar në Grupin C të Botërorit 2026 dhe do të jetë një nga kombëtaret e para që do të zbresë në fushë në turne.
Skuadra e Ancelottit do ta nisë aventurën kundër Marokut më 13 qershor në MetLife Stadium, arenë që do të presë edhe finalen e Kupës së Botës.
Më pas, Brazili do të përballet me Haitin më 19 qershor në Lincoln Financial Field, ndërsa fazën e grupeve do ta mbyllë më 24 qershor kundër Skocisë në “Hard Rock Stadium”, impianti që pret edhe garën e Formula 1, Miami Grand Prix.