Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë pas diskutimit të sotëm në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), ku nënkryetarja Drita Morina ka propozuar që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet mbyllja e emisionit “Debat Plus” në TV Dukagjini.
Përmes një reagimi publik, AGK-ja e ka cilësuar këtë deklaratë si “të papranueshme, të papërgjegjshme dhe si sulm frontal ndaj lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”.
Sipas AGK-së, diskutimi i sotëm është vazhdimësi e vendimeve ndëshkuese ndaj mediave, të cilat i konsideron të pabaza.
“AGK-ja rithekson se nuk është në kompetencën e KPM-së të dënojë mediat dhe gazetarët për shkak të debatit dhe deklaratave të të ftuarve”, thuhet në reagim.
Më tej, Asociacioni vlerëson se vendimet e fundit të KPM-së konfirmojnë shqetësimet e ngritura më herët nga organizatat mediale dhe shoqëria civile.
“Vendimet e paprecedentë me gjoba nga përbërja e re e KPM-së vërtetojnë alarmin e ngritur nga AGK-ja dhe shoqëria civile se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë, të cilat synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve”, thuhet më tej në reagim.
AGK-ja thekson se liria e medias dhe liria e shprehjes janë të drejta të garantuara në Kosovë dhe se pluralizmi mediatik mbetet një vlerë që nuk mund të zhbëhet me vendime administrative.
“Liria e medias dhe e shprehjes është e drejtë e garantuar në Kosovë, ndërsa pluralizmi mediatik është vlerë që asnjë vendim i KPM-së nuk mund ta zhbëjë”, thuhet në reagim.
Në fund, AGK-ja i ka bërë thirrje KPM-së që të tërhiqet nga, siç e quan, praktika e ndëshkimit të mediave dhe të ushtrojë kompetencat e saj në përputhje me mandatin ligjor.
“AGK-ja i bën thirrje KPM-së që të heqë dorë menjëherë nga praktika e ndëshkimit të mediave dhe ta kryejë punën e saj brenda kompetencave që ka”, përfundon reagimi.