Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit të fletëvotimeve të dorëzuara nga mërgata, të cilët kanë votuar fizikisht nëpër Përfaqësitë Diplomatike të Republikës së Kosovës jashtë vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili specifikoi se ky proces përfshin votat e grumbulluara nga një shtrirje e gjerë gjeografike.
“Fletëvotimet që kanë nisur të numërohen janë nga 30 Përfaqësi Diplomatike, të cilat ndodhen në 18 shtete të ndryshme të botës”, deklaroi Elezi.
Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, interesi i bashkatdhetarëve për të votuar nëpër ambasada e konsullata ka qenë i konsiderueshëm në këto zgjedhje.
Gjithsej janë 22,560 persona që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore për të votuar direkt në këto përfaqësi diplomatike.
Procesi i numërimit në QNR po monitorohet nga vëzhguesit e partive politike dhe organizatat vendore e ndërkombëtare, për të garantuar transparencë të plotë. Rezultatet e këtyre votave pritet t’i shtohen rezultatit të përgjithshëm sapo të përfundojë scanimi dhe verifikimi i çdo kutie.